Të lutem mos ndrysho,qëndro si je!
Si dritë plot shkëlqim,agut të praruar
Si fjalë që edhe heshtjen e vë të fle
Si zëri që shpirtit i ka kënduar.
Te ti kam gjetur strehën e ëndërruar
Si lulja që çel në shi dhe në dëborë
Je fjalë që i mungon çdo libri të shkruar
Premtimi që kurrë s’ deshi kurorë.
Do të dua përherë,deri sa të kem jetë
Për atë që je dhe atë që ke treguar
Të dua me shpirt, për dritën e vërtetë
Për dashurinë e pastër që m’ke dhuruar.
HAJDE SONTE RRI ME MUA!
Sikur flutura që rri në degë
Dhe i pëlqen të bëjë pushim,
Hajde të rrimë,moj luleshegë
Hajde sonte në kopshtin tim!
Hajde sonte, mos ma prish!
Yjet bashkë t’i numërojmë
Ta ndajmë qiellin përmidis,
Nën blirin tonë, plot me aromë.
Të presim hënën sa të ngrihet,
Pa mburrje edhe pa kurorë
Ne, të shtrirë në bar të imët,
Ajo, në pllajë mbi shkëmborë.
Hënë e plotë, hënë Janari,
Sonte qenke me dy vetulla.
Eja sonte,në t’ ka marrë malli,
Të shijosh puthje të nxehta.
