PORTRETI I TIJ NDRIT SI DRITË NË AGIM
(Në kujtim të poetit Adem Gashi)
18.10.1953 -16.01.2024
Si hije erdhi, pa zhurmë e pa mëshirë,
Pa trokitur fare në portën e shpirtit,
Ia mbylli sytë, ia preu fjalën në gjysmë,
E ngriti lart, mes yjeve drejt qiellit.
Ia mori zërin, penën ia hoqi nga dora,
Por vargun e shkruar na e la kujtim,
E mbi fletët e bardha si bora,
Portreti tij ndrit si dritë në agim.
Ti vdekje, ke bërë mekatë të rëndë,
Ndale një zemër që s’duhej të ndalonte,
Mbi buzë ke ngrirë fjalën e lirë të poetit,
Që ende mes nesh duhej të jetonte.
Poetin e more, por jo vargun e lirë,
Zemra i pushoi, por këngët i jetojnë,
Populli do t’i këndojë me shpirt të dëlirë,
Si zë kushtrimi atdheut do të jehojnë.
