Në historinë e kombeve ka varre që mbeten vetëm gurë.
Por ka edhe varre që bëhen kujtesë dhe armë.
Sefë Kosharia është një prej tyre.
Të dy pranë njëri-tjetrit: Lisi i fshatit, me degë e rrënjë shekullore, ujitur me gjak trimash, dhe burri 52-vjeçar me shtat vigani.
Cili ishte më i lartë?
Lisi, apo plisi i bardhë në kokën e Sefë Koshares?
Era e betejës së Slivovës përkundte lakun e litarit.
Aty mbeti Mic Sokoli, me gjoksin mbi grykën e topit osman.
Pas tij, Sefë Kosharja.
Copërat e gjyles ia nxorën syrin e majtë, po ai ende thërriste:
-Mbi turkun, bini burra!
Sheshi i fshatit ishte mbushur plot me njerëz, por më shumë ishin ushtarët turq.
Fytyrë-nxirë dhe sy aziatikë.
Të frikshëm.
Tinëzarë.
Pashai fërkoi me dorë mjekrrën e zezë, më të zezë se shpirti i tij, më të zezë se shpata e pushtuesit që mbante në brez.
- E shikon? Do të kalbesh shtatë ditë e shtatë net në majën e lisit.
Askush mos guxojë të të varrosë…
Sefë Kosharja iu përgjigj:
-Burri dhe lisi janë një, o pasha!
Të dy qëndrojnë në këmbë, në shi e suferinë.
Lisi ka trungun dhe degët.
Burri ka fisin, qëndresën dhe besën.
Shqiptarin nuk e ka le lokja prej barkut, por e ka qit huta prej çarkut.
Syri i plagosur i kullonte gjak.
-Thuaj amanetin e fundit!
Sefë Kosharja u kthye nga bashkëfshatarët, hoqi plisin e bardhë nga koka,
e vuri pranë zemrës dhe tha:
-Vëllëzërit e mi të Koshares!
Amaneti im është Kosova!
Është Shqipnia!
Edhe i vdekur, Sefë Kosharja do të luftojë për liri.
Prandaj, o vëllezër, varrin ma bëni me frëngji.
Të nxjerr syrin e të shoh fushë-Kosovën të gjelbërojë në pranverë.
Të shoh flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenore të fluturojë në grykën e Rugovës dhe mbi Bjeshkët e Nëmuna.
Manxerrin tim të luftës ma vini përbri varrit!
Të qëlloj turkun osmanlli në lule të ballit.
Gjerdanin e brezit ma mbushni plot me fishekë!
Sefë Kosharja nuk ka vdekje kurrë!
Malet duan gjithmonë lirinë.
Nuk duron shqypja robni!
Dega e lisit, ku përkundej litari, rënkoi nga dhimbja.
Sefë Kosharja thirri për herë të fundit:
-Nuk më tremb vdekja, pasha!
Jam shqiptar kosovali!
Në mesnatë, tre djem të rinj vranë rojet osmane që ruanin lisin dhe ulën në tokë trupin e pajetë të Sefë Koshares.
E varrosën me nderime në majën e malit.
Ia bënë varrin me frëngji.
Mbi kokë i vunë manxerrin me gjithë fishekë.
Ka burra që vdesin, por ka edhe burra që varri i tyre bëhet pushkë.
Lisi i moçëm në Koshare ende tund degët.
Era e mbrëmjes pëshpërit si në legjendat e lashta:
Sefë Kosharja, i pari i fisit,
hije të ka maja e lisit.
Por hija e tij nuk është hija e vdekjes.
Është hija e mbijetesës së një kombi që ende mëson të mos përkulet para armikut.
Mina T. Qirici
Tiranë, 10 mars 2026
