Poetja Irma Kurti vjen përpara lexuesve shqiptarë me përmbledhjen e re me poezi të titulluar “Kthimi”. Libri mban logon e shtëpisë botuese “Ukiyoto Publishing” dhe vargjet shoqërohen me fotografi nga Iliriana Kurti. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini. Në parathënien e shkruar nga kritikja letrare Teuta Sadiku lexojmë: “Irma Kurti gërsheton kujtimet, mallin dhe zhgënjimet me pasionin për poezinë, duke bërë që edhe humbjet më të thella të shndërrohen në dritë dhe melankoli, të shndërrohen në bukuri artistike. Tek poetja humbja e njerëzve të dashur, mungesa e miqësive të sinqerta, bëhen vargje që dridhen nga nostalgjia, por kurrë pa shpresë. Natyra, në çdo imazh të saj, bëhet bashkëbiseduesi i heshtur dhe strehimi shpirtëror. Është harmonizim i dhimbjes dhe bukurisë, që e bën poezinë e saj të gjallë, të prekshme dhe universale. Poetja Irma Kurti na tregon se edhe në botën e ftohtë dhe të larguar nga emocionet, ekziston një vend ku ndjenja, kujtesa dhe pasioni për artin mund të bashkohen në harmoni. Poezia e saj është udhëtim i brendshëm dhe dritë në errësirë, një ftesë për të reflektuar mbi vetminë tonë dhe për të kuptuar se vetmia, kur përjetohet me ndjeshmëri, bëhet mjet për të kuptuar dashurinë, natyrën dhe artin.”
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para. Përveçse në Shqipëri, ka fituar gjithashtu çmime në konkurse letrare ndërkombëtare në Greqi, ShBA, Kanada, Filipine, Liban dhe Kinë. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivalet e muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Ajo ka botuar mbi 117 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës.
ILIRIANA KURTI ka lindur në qytetin e Elbasanit. Qysh në fëmijëri ka qenë e apasionuar pas muzikës. Prindërit, Hasan dhe Sherife Kurti, e mbështetën dhe e inkurajuan në çdo hap për të ndjekur prirjet e saj. Ka mbaruar shkollën tetëvjeçare të muzikës “Onufri” në Elbasan për kitare e, më pas, gjimnazin e përgjithshëm “Dhaskal Todri” me rezultate të shkëlqyera. Ka marrë pjesë në disa festivale të këngës për fëmijë në qytetin e lindjes si dhe në një nga aktivitetet më të rëndësishme muzikore, Festivalin Kombëtar në Shkodër dhe është nderuar me çmime. Në vitin 1991 diplomohet në Universitetin e Tiranës në degën Ekonomi. Në 1992 emigron në Itali. Është nënshtetase italiane prej vitit 2009 dhe jeton në Bergamo.
Iliriana Kurti është lexuese e rregullt e letërsisë klasike dhe bashkëkohore si dhe e apasionuar pas artit të fotografisë. Fotografitë e saj janë botuar në disa gazeta dhe revista online. Përmbledhja me imazhet që shoqërojnë poezitë e librit “Kthimi” është vepra e parë në bashkëpunim me motrën e saj, poeten dhe shkrimtaren Irma Kurti.
