Shkruan Blerim Rrecaj
“RRUGA E KTHIMIT dhe tregime të tjera” ose libri me tregime të freskëta e të mprehta… Kur merr dhuratë një libër është një gjë që të gëzon. Ashtu siç mora këtë dhuratë nga autori i librit Alban Hajrushi. Është ndjenjë e bukur, e kjo ndjenjë bëhet edhe më e bukur kur fillon leximin, e kur që me leximin e tregimit të parë vëren se gjuha, stili, arti i të rrëfyerit të zgjon ndjenja të bukura. Dhe pastaj kjo mënyrë mjeshtrie e të rrëfyerit vazhdon nga tregimi në tregim
. Ndonëse tregimet janë të shkurtëra e anojnë kah proza poetike, ato janë gdhendur e stolisur me fraza e shprehje që paraqesin ambiente e mjedise, a më mirë të themi përshfaqin një “skenografi jete” me një, dy a më shumë personazhe, që mbartin histori ku më të dukshme e ku më të fshehur për sytë e botës, e të krijohet përshtypja se je duke lexuar tregime më të gjata e më me shumë faqe sesa që janë në të vërtetë, pasi që pas leximit të vënë në lëvizje mendjen e imagjinatën
. Forca e bukuria e fjalës dhe stili i të rrëfyerit me butësi e një thjeshtësi të admirueshme sikur një puhi na bënë të shijojmë një gjuhë poetike e melodioze e harmonike, larg zhurmave e fjalëve të mëdha, larg asaj me fol sa për të thënë diçka, që herë duket më shqetësuese e herë më melankolike por e çlirët, e dëlirë, e sinqertë e joimponuese. Temat që trajtohen në këto tregime janë të larmishme, si një tufë me shqetësime të kohës që po kalojmë, si bukuria shpirtërore para asaj fizike, themeli para fasadës, braktisja e vendit, e të afërmëve, ngjarjet e rënda nga hasmëritë, depresioni e aksidentet, rropatjet për gjetjen e një shtegu, udhe e strehe, për diç ku shfaqet shqetësimi kur pësojmë nga moskujdesi nga natyrës, e deri te vetëdijësimi për kthimin e një jete me baraspeshë e harmoni, për kthim e ruajtje vlerash, për gërshëtimin e së vjetrës dhe të resë, ku ëndërrohen një jetë plot përpjekje e sfida por pa i munguar gjallëria e cila siç vërehet dukshëm është zbehur.
Tregimet janë të pasura, të rrjedhshme e kthjellta sa të kujtojnë një ditë me dukshmëri të lartë pas mjegullave e smogut, ku ne mund të shohim larg në drejtim të vendbanimeve, maleve, bjeshkëve në jetën mes lëvizjeve qoftë kur bëhet fjalë për ndonjë ngjarje kur mund të shpërfillet dhembja e dikujt për një humbje, një pritje, një shqetësim, një melankoli, një përballim me mundim e dinjitet, një përpjekje për mosdorëzim pavarësisht plagëve që ka sjellur fati e jeta.
Dhe këto plagë të hapura diku nga shpërfillja, diku nga vetmia, diku nga izolimi, diku nga keqkuptimi, diku nga absurdi, diku nga moskujdesi, diku nga lakmia e nga një varg shkaqesh e pasojash të tjera sikur presin të trajtohen, të shërohen, të zgjidhen, të zbuten ose pakësohen e zvogëlohen për aq sa të jetë e mundur.
Një gjë që e bën edhe më të vlefshëm këtë libër është edhe përçimi i mesazheve për më shumë përpjekje, qëndrueshmëri, solidaritet e humanitet. Në këtë kohë turbullirash e trazimesh nga më të ndryshmet ky libër i këndshëm pos tjerash është një freski e befasi për lexuesit dhe ftesë për reflektim…
