Të kaltrën e syve s’ia mora dot nënës
Syrin kaf të pjekur mora nga im at
U mjaftova me shikimin e argjëndë si drita e hënës
S’ia mora dot as shtatin e lartë.
Humbas shikimin ujërave të kaltra
Kaltërsi e gjelbëruar që m’josh e më çmënd
Gurët buzë rrjedhës m’sjellin ndërmend ikjet
Kjo Vjosë kaltëroshe m’gjallnon syrin tënd.
Nga damarët e shkëmbinjëve bërë kockë mbi male
Një rrëkezë e ndritshme ngjan si qumësht gjiri
Përzjehet përgjatë rrugës me pak ngjyrë gjethnaje
Dhe bëhet jeshil si lotët e tët biri.
Ky ujë i kaltër me nuancë të gjelbërt
Që njëherë më josh e njëherë me dhemb
Ma çmend e ma lodh rrahjesh kraharorin
U vesh syve t’mi, ngjyrën e syrit tënd!
