Trajneri legjendar francez, Arsene Wenger, ka analizuar Kupën e Botës 2026 dhe ka veçuar vetëm një kombëtare që, sipas tij, ka cilësinë për ta ndalur Francën në rrugën drejt titullit.
Sipas Wengerit, vetëm Spanja mund ta mposhtë skuadrën e Didier Deschamps dhe ta pengojë atë të triumfojë në turne.
Franca ka arritur në çerekfinale në mënyrë mbresëlënëse. Edhe pse u rendit në një grup të vështirë me Norvegjinë, Senegalin dhe Irakun, skuadra franceze fitoi të tri ndeshjet, duke shënuar dhjetë gola, shkruan Index.hr.
Forma e mirë e francezëve ka vazhduar edhe në fazën eliminatore. Fillimisht ata siguruan një fitore bindëse 3-0 ndaj Suedisë në raundin e 1/16-ave.
Më pas, në një përballje të tensionuar në stadiumin e Filadelfias, Franca mposhti Paraguain me rezultat 1-0.
Tashmë Franca është vetëm tri fitore larg fitimit të titullit të tretë të Kupës së Botës. Sfida e radhës për ekipin e Deschamps do të jetë çerekfinalja ndaj Marokut, kampionëve aktualë të Afrikës.
“Franca do ta fitojë Kupën e Botës. E di, do të thuash: ‘Sigurisht që e thua këtë kur je francez’. Por nëse e analizon kampionatin, do të kuptosh se gjithçka është si një tren që shkon me një shpejtësi të caktuar dhe duhet të jesh në gjendje të hipësh mbi të”, ka thënë Wenger për Sky Sports.
Më pas, ai ka përmendur ekipin që e konsideron kërcënimin më të madh për Francën.
“Për mua, pyetja e vërtetë është Spanja. Nëse ndonjë ekip mund ta mposhtë Francën tani, do të thoja se është Spanja sepse teknikisht janë në një nivel më të lartë se francezët”, deklaroi Wenger.
Sipas tij, Spanja ka një cilësi të veçantë në lojën kolektive, ndërsa Franca ka avantazh në aspektin fizik.
“Spanja zotëron një cilësi dhe kulturë të lojës kolektive që askush tjetër në botë nuk e ka në këtë nivel. Kjo mund të vendosë ndeshjen midis këtyre dy ekipeve kombëtare, por Franca është, sigurisht, fizikisht më e fortë”, përfundoi Wenger./Reporteri.net/
