Ajshe Avdiji, një nga emrat më të njohur të automobilizmit sportiv shqiptar dhe pioniere e driftit në Maqedoninë e Veriut, vazhdon të shënojë suksese jo vetëm në motorsport, por edhe në fushën e artit.
Si themeluese dhe kryetare e Shoqatës Redline Tuning Drift, ajo prej vitesh është angazhuar në organizimin e eventeve automobilistike që promovojnë garimin e sigurt, kulturën e motorsportit dhe bashkëpunimin mes entuziastëve të automobilizmit në rajon.

Pas një karriere të suksesshme në sport, Ajshe Avdiji do të shfaqet edhe në kinematografi. Ajo është pjesë e filmit më të ri “Tokë e Djegur”, ku interpreton një rol përkrah një kasti të njohur aktorësh. Filmi, me protagoniste Ganimete Bytyqi – Lalushi, pritet të dalë para publikut brenda dy muajve.

Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin e saj profesional, duke dëshmuar se talenti, përkushtimi dhe guximi mund të hapin dyer edhe përtej sportit.

Me moton “Kufijtë ekzistojnë vetëm për ata që heqin dorë. Unë zgjedh të ec përpara me guxim, pasion dhe shpejtësi.”, Ajshe Avdiji mbetet një shembull frymëzimi për të rinjtë dhe një përfaqësuese dinjitoze e grave në fusha që tradicionalisht janë dominuar nga burrat.
