BallinaVitrina e libritPËR ÇFARË SHËRBEN DËNIMI LIGJOR, KUR MIZORIA VRET TË ARDHMEN?

PËR ÇFARË SHËRBEN DËNIMI LIGJOR, KUR MIZORIA VRET TË ARDHMEN?

Nga Angela Kosta

Çfarë vlere ka dënimi kur fajtori e ka dënuar tashmë vetveten? Dhe jo vetëm veten, por edhe të gjithë ata që vajtojnë një vajzë në lulen e moshës, një studente me ëndrra të përgjysmuara, ose një grua të re shtatzënë, me fëmijën në bark, e vrarë ende pa lindur. Një jetë e pafajshme, fryt i një bashkimi që ndoshta dikur ishte bazuar mbi dashurinë, tashmë e mbyllur në një të kaluar të largët, pa një të ardhme?

A nuk janë dënuar edhe ata që vajtojnë një motër të zhdukur, e cila u hodh në humnerë nga një ndërtesë që dikur përfaqësonte shtëpinë e saj, folenë e dashurisë, por që u dëshmua se s’ishte gjë tjetër veç një mashtrim? E ç’mund të thuhet për një nënë dhe fëmijën e saj njëmbëdhjetë muajsh, të cilëve jeta iu mor pa mëshirë pikërisht nga ai që duhej të përkujdesej për ta?

Si mund të «gëzohet» dikush kur lexon se një djalë, apo qoftë një i rritur, është dënuar me burgim të përjetshëm, duke e ditur, se pavarësisht krimit, nuk është penduar kurrë?

Dënimi mund të jetë një përgjigje ligjore e drejtësisë, por kurrë do të mundet t’i rikthejë jetët e ndërprera, kurrë s’mund të mbushë boshllëkun në shpirtrat e atyre që mbeten për të vajtuar.

Sot, duke vëzhguar statistikat marramendëse të dhunimit ndaj femrave, duhet ta pohojmë se tashmë kemi dështuar, plotësisht! Jo vetëm si shoqëri, si familje humane e paaftë për ta njohur dhe parandaluar të keqen, por edhe si qenie njerëzore, sidomos përballë ligjit të Zotit.

Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të keqen barbare brenda një individi, bëhet fjalë për një mizori të paramenduar, e cila zhduk dhe eliminon çdo shenjë e gjurmë njerëzillëku.

Vetëm para disa ditësh, Arlinda Zekaj u vra me sëpatë vetëm sepse dëshironte të takonte djalin e saj.

Kush mund t’ia mohojë një nëne të drejtën të takojë djalin që e ka mbajtur në bark për nëntë muaj rresht, duke i dhënë frymë, jetë?
Kush mund t’i japë vetes të drejtën t’ia ndërpresë pikërisht atë frymë që bëri të lulëzonte atë embrion – filiz, ta ndërpresë atë jetë prej së cilës lindi një ekzistencë e re?

Si do të rritet ai fëmijë, viktimë e pafajshme e një së ardhmeje tashmë të plagosur pa ngrohtësinë e vështrimit dhe të duarve të nënës së tij.
Si do të flejë pa tingullin e zërit të saj, pa atë vështrim të ëmbël e të butë që përmbledh pafundësinë e një dashurie, të cilën vetëm një nënë di ta përcjellë dhe ta dhurojë.

Të vrasësh një femër, do të thotë të godasësh vetë natyrën e jetës. Nga barku i saj mbin dhe çel ajo që me qenien e vet do t’u japë jetë qenieve të tjera njerëzore.
T’i shuash jetën një nëne do të thotë, të godasësh edhe të ardhmen e asaj cka varet prej saj.
A mund të shuhet dielli, prej të cilit marrim ngrohtësi?

A mund të mbytet ajri, nëpërmjet të cilit frymon çdo formë jete?

A mund të thahet uji i gjithë planetit, ai që ushqen jetën dhe shuan etjen e krijesës së së nesërmes?

A mund të zhduket hëna, dëshmitare e heshtur e netëve tona dhe premtim i një dite të re?

A mund të asgjësohet ekzistenca, duke fshirë atë që ka qenë dhe atë që ende nuk ka lindur?

Gruaja është bartëse e jetës drejt së ardhmes dhe kjo është e pamohueshme.

Asnjë dënim ligjor, sado i rreptë qoftë, nuk do të mund ta rikthejë kurrë atë që mizoria ka shkatërruar përgjithmonë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT