BallinaVitrina e libritPaola Muçodemi-Përgjithmonë

Paola Muçodemi-Përgjithmonë

Më lër të të them:
“Qëndro”
jo si premtim,
por si nevojë.

Më lër ta them
me zërin që dridhet
kur frikësohet se do të të humbasë,
para se të arrijë të të mbajë.

E di…
asgjë nuk është përgjithmonë.
As njerëzit,
as përqafimet,
as verat.

Por ky çast…
Ky, kur sytë e tu më gjejnë
dhe bota hesht,
është e gjithë përjetësia ime.

Dhe nëse nesër nuk jemi më ‘ne’
do të jemi diçka brenda njëri‑tjetrit
që nuk shuhet.
Do të jemi një shikim që kthehet
kur gjithçka bëhet e vështirë.
Një këngë që bie rastësisht
dhe dhemb ëmbël.
Një aromë në ajër
që e bën zemrën të humbasë ritmin.

Sepse dashuria nuk është kohëzgjatje.
Është intensitet.
Është “tani” që digjet.
Është “këtu” që nuk ka vend tjetër.

Dhe unë me ty nuk dua kohë.
Dua thellësi.
Dua të të ndiej aq fort,
sa të më mjaftojë
për gjithë mungesën tënde.

Prandaj…
Më lër të të them “përgjithmonë”.
Jo sepse do të zgjasë.
Por sepse në këtë çast
nuk ka asgjë më të madhe
se ajo që ndiej për ty.

Dhe nëse kjo mbaron, mos thuaj se humbi.
Do të ekzistojë përgjithmonë aty ku mbarojnë fjalët
dhe filloj unë të të kujtoj.

Dashuria ime…
Përgjithmonë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT