BallinaVitrina e libritBotimet e rejaDoli nga shtypi libri i parë i autores Arsë Dehari i titulluar...

Doli nga shtypi libri i parë i autores Arsë Dehari i titulluar “ZOGJ NË ZEMRËN TIME”.

Përmbledhja “Zogj në zemrën time” e autores së vogël Arsë Dehari, bën pjesë në kategorinë e atyre librave që e prekin lexuesin para se ai të fillojë t’i lexojë!

Vetë fakti se autorja është vetëm nëntë vjeçe e bën këtë libër një befasi të këndshme. Por, befasia nuk qëndron vetëm te mosha. Ajo që e veçon këtë vepër është ndjeshmëria e rrallë me të cilën Arsa e sheh botën dhe aftësia për ta shprehur atë me një gjuhë të natyrshme, të çiltër dhe plot ngrohtësi. Më e veçanta është se jo vetëm tekstet, por edhe ilustrimet janë punë e saj, duke e shndërruar librin në një dëshmi të bukur të një talenti të shumanshëm.

Që në faqet e para lexuesi ndalet para një përkushtimi prekës, që vështirë se mund të lexohet pa emocione: “Babit tim, Astritit, që do të më mungojë gjithë jetën…”

Në këto pak fjalë është përmbledhur një mungesë, që nuk mund të matet me kohë. Arsa nuk pati fatin ta njohë kurrë të atin, dëshmorin Astrit Dehari, sepse lindi pas vdekjes së tij. Megjithatë, figura e babait është e pranishme në mënyrën më të pastër, që mund ta krijojë një fëmijë: përmes dashurisë dhe mallit. Ky përkushtim i jep librit një dimension njerëzor e emocional, që e shoqëron lexuesin deri në faqen e fundit.

Në të njëjtën kohë, libri është edhe një himn i dashurisë familjare. Mami, gjyshja, gjyshi dhe halla shfaqen vazhdimisht si burime sigurie, dashurie dhe përkujdesjeje.

“Zogj në zemrën time” është shumë më tepër se libri i parë i një vajze nëntëvjeçare. Ai është dëshmi se edhe një zemër e vogël mund të mbajë brenda një botë të madhe dashurie, shprese dhe krijimtarie. Dhe pikërisht këta zogj, që Arsa i ka vendosur në zemrën e saj, do të gjejnë pa dyshim vend edhe në zemrat e lexuesve.

Botues

Sh.B. “Lena Graphics”, Prishtinë

Redaktor:

Avni Dehari

Recensues:

Demir Reshiti

Korrektor gjuhësor:

Avni Dehari

Ilustrimet:

Arsë Dehari

Përgatitja teknike:

Rrezart Fejzullahu

Shtypi

Lena Graphics Design, Prishtinë

Autores i urojmë suksese të reja në krijimtarinë artistike dhe presim libra të tjerë nga pena e saj. (D. Reshiti)

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT