Ma dogjën shkollën na ndaluan shqipen
Ma vranë mësuesin ardhmërinë
Faqeve të djegura shkrova dhimbjen
Shkrumbit të librave e pashë lirinë
Nuk u ndala me plagë vazhdova
Sa e rëndë kur nxënësit na i vranë
Dikur çmimin e lirisë e kuptova
Zjarrit shqip me Ty fola e dashura nënë
Nuk bëhej shqipja jo gjuhë tjetër
Kot u munduan ta ndalonin
36 tingujt e gjuhës së vjetër
Nënës ashtu të gjakosur i këndonin
Ju faleminderit të dashur mësues
Që shtatorit i keni dhënë dinjitet
Në oborr të shkollave ju jeni një pemë
Që bëni dritë si yjet në univers
Shkrumbit nuk shembej kështjella
Gjuha ime ishte ngjizur në shpirt
Sot të buzëqeshur nxënësit në shkolla
Në shqipen e lirë i marrin dituritë
Mora hirin që e ruajta në kornizë drite
Abetarja aty kurrë s’kishte fjetur
Hija e mësuesve në shkollën shqipe
Portret lirie brezave u ka mbetur
