BallinaKalendari EnciklopedikRiza Bllaca – Rapsodi që nuk lind ma nana..

Riza Bllaca – Rapsodi që nuk lind ma nana..

Në panteonin e muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, emri i Riza Bllacës (1918/1919–1988) qëndron si një nga shtyllat më të fuqishme të këngës epike dhe trashëgimisë sonë shpirtërore. I lindur në fshatin Bllacë të Suharekës, ai nuk mori nga vendlindja vetëm mbiemrin, por edhe frymën, vuajtjet dhe krenarinë e një populli që historinë e tij e kishte shkruar shpesh me gjak e e kishte kënduar me çifteli.

Riza Bllaca nuk ishte thjesht një interpretues; ai ishte një institucion më vete, një dëshmitar i gjallë i kohës dhe një “shahir” (rapsod) gjenial. Me një zë tejet karakteristik, melodioz dhe me një diksion të pastër që të drithëronte, ai arriti të kthente telat e sharkisë dhe çiftelisë në një mjet të fuqishëm të ruajtjes së memories historike. Kur këndonte Riza Bllaca, oda heshtte dhe dëgjuesi udhëtonte prapa në kohë.

Riza Bllaca nuk ishte vetëm rapsod, ai ishte institucion më vete.

Këngët e tij ishin dashuri, dhimbje, trimëri.Prej këngëve të dashurisë që i këndoi me plot afsh, te këngët e kreshnikëve, të trimërisë e të Oso Kukës…

Kur këndonte Riza Bllaca, nuk digjej veç kulla e Kamer Loshit, veç kulla e Oso Kukës në Vraninë; digjeshin edhe zemrat dhe trimat merrnin kurajo për betejën e madhe që do të ndodhte një ditë patjetër.

Askush nuk ka mundur me e shndërrue vajin e motrës së Avdis në art të tillë, të dhimbshëm, si Riza Bllaca.

Kur e fuste në telat e sharkisë vajtimin e motrës së Avdi Hysës, nuk qante veç motra; qanin gur e dru, qante Vranina, qante vatani, pastaj nga ajo dhimbje dilnin trima të çartur si Oso Kuka.

Kur e këndonte dashuninë e djalit për vashën, bota merrte e tëra ngjyrë dashunie e bukurie.

«“Kur kam nejt nji ditë me ty,nji ditë sa ke dita,gjilpanën ta hoqa e për flokë ta ngjita,kur ta shpalosa gjoksin tand,

sikur rrezon hana…”

Këto vargje dashnie Riza Bllaca i shndërronte në bukuri të përsosur artistike.

Kur i vinte nji haber prej Podrimjes, dëgjuesit mbusheshin me dhimbje dhe të gjithë prisnin kur vasha do të kthehej prapë.

Kishte edhe dhimbje e mallëngjim në këngët e kënduara nga ai:

“Zinxhir në kam e zinxhir n’dorë,

oo, u dogjëm në shpirt…”

Mbi të gjitha, Riza Bllaca jetonte me popullin, për popullin dhe ndiente bashkë me të.Dinte mi çmue rapsodët e tjerë dhe kjo e tregon madhështinë e tij.

Me nji rast thotë për Sali Bajramin:

“Si Sali Bajrami, ma kush nuk e qet sharkinë në gju”,»

që donte me thanë se Sali Bajrami, për rapsod me sharki, nuk lind ma nana.

Kjo që e tha ky për Sali Bajramin vazhdon edhe për të, se i madhi din me çmue të madhin.

Si Riza Bllaca, ma kush nuk mundet me e qit sharkinë në gju; me nji fjalë, Riza Bllaca nuk lind ma nana.

Nën interpretimin e tij magjik, legjendat dhe baladat e vjetra shqiptare morën një jetë të re. Cikli i Kreshnikëve, me kryeveprat si “Martesa e Halilit” apo “Gjergj Elez Alia”, si dhe baladat e besës si “Aga Ymeri”, u gdhendën në mendjen e brezave pikërisht përmes zërit të tij. Ai kishte aftësinë unike që, përmes këngës, të mos argëtonte vetëm veshin, por të edukonte shpirtin, duke mbajtur gjallë frymën patriotike dhe identitetin kombëtar në kohëra kur kjo gjë nuk ishte e lehtë.

Përtej skenës dhe festivaleve ku shkëlqeu, ai mbeti një njeri i thjeshtë, punëtor në Kombinatin “Tefik Çanga” në Ferizaj, qytet ku jetoi dhe ku prehet edhe sot. Ai la pas një trashëgimi të pasur me qindra regjistrime, të cilat sot shërbejnë si pikë referimi dhe shkollë për të gjithë studiuesit e folklorit dhe rapsodët e rinj.

Riza Bllaca ndërroi jetë më 28 maj 1988, por zëri i tij nuk u shua kurrë. Ai vazhdon të jetojë sa herë që fryn era e Taraboshit, sa herë që këndohet për trimat e Jutbinës dhe sa herë që një çifteli bie në duart e një shqiptari.

Ai mbetet përgjithmonë princi i epikës kosovare, roja besnike e folklorit tonë burimor.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT