Sa bosh që ndjehem, krejt bosh
Dhe veten më nuk po e gjej.
Nuk pres aspak të më kuptosh,
Shumë më tepër, të të ndjej.
E si ta bëj kur më zhgënjeve,
Me thika më vrave pas shpine.
Kur t’besoja verbërisht,
Ti më luaje rol viktime.
Duke u shtirur si ëngjëll,
Veshur me lëkurë prej djalli.
Me buzëqeshje ironike,
Përshpërit “më mori malli”.
Mendon se do të harroj,
Siç kam bërë sa e sa herë.
Duke mbyllur sy e veshë,
Pa dëgjuar ç’thonë të tjerë.
Por ti ndjenjën nuk e njeh,
Madje shpesh “e shet” kaq lirë.
Ky veprim nuk t’i ngre vlerat,
Aspak s’quhesh burrë i mirë.
Veç një egoist i lindur,
Dhe mashtrues der’ në deje.
Ndaj unë sot të flas e bindur,
Nuk meriton asgjë prej meje.
