Me rastin e 70-vjetorit të themelimit të çmimit më prestigjioz individual në futboll, janë bërë të ditur emrat e kandidatëve për trofeun e ri të veçantë “Ballon d’Or Of All Time” (B.O.A.T), ku tifozët do të kenë mundësi të zgjedhin vitin më të mirë individual në historinë e Topit të Artë.
Që nga ndarja e parë në vitin 1956, Topi i Artë ka nderuar figurat më të shquara të futbollit botëror.
Për këtë përvjetor jubilar, organizatorët kanë përfshirë në garë vetëm ata futbollistë legjendarë që e kanë fituar këtë trofe më shumë se një herë gjatë karrierës së tyre.
Listën e kryeson ylli argjentinas Lionel Messi me gjithsej tetë nominime (për çdo vit që ka triumfuar), i ndjekur nga rivali i tij historik, Cristiano Ronaldo, i cili garon me pesë vitet e tij fituese.
Pjesë e garës janë edhe emra të pavdekshëm të futbollit evropian e botëror si Johan Cruyff, Michel Platini, Marco van Basten, e deri te Ronaldo Nazario dhe Franz Beckenbauer.
