Më humbi fjala, se ku, se di,
kush e gjen vargun tem,
asht i lutun me ma kthy’,
se malli m’ka marrë për nji poezi.
Deshta fort me shkrue sonte,
me ia thanë shpirtit çka mban mbrenda,
po fjala m’u tret n’udhë të largët,
heshtja ulun, po rrin si në gjëmba.
E kërkova ndër kujtime,
ndër plagë që s’i prek ma kush,
ndër do andrra gjysmë të fikuna,
ndër do fjalë që s’ia thashë kurrkujt.
Kush ma gjen vargun e humbun,
le të ma kthejë pa vonesë,
se kam nji poezi që po m’pret
e kam nji lamsh që shpirtin ma djeg.
Ndoshta vargu s’më ka humbë,
ndoshta veç asht lodhë me mue,
se ka net kur edhe poetët
për nji fjalë t’pathanun vujnë…
