BallinaVitrina e libritEmin Z. Emini-QESHJA PREJ ZORIT

Emin Z. Emini-QESHJA PREJ ZORIT

qeshim
se lotët janë bërë estetikë luksi
ose bizhuteri kineze
që blihen në dyqanin e lagjes

qeshim
për ta përjetësuar lumturinë
para celularit të serisë së fundit
që askush të mos pyesë
çfarë ndodhi me ne
pas shkrepjes

qeshim me jetën
se ajo e ka harruar humorin
si një mace e lagur në shi
por ka talent të jashtëzakonshëm
për të na vënë në lojë minjsh

para se të flemë
celularin e vëmë në aeroplan mode
se i shkreti ka pasur ditë të lodhshme

të nesërmen
kur dikush na pyet
sipas rutinës së bukur

si je

ne prapë
vetëm qeshim

se ndonjëherë
e vërteta është përrallë tepër e gjatë
për një përgjigje të shkurtër

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT