Nën peshën e një qielli të lodhur,
kur rrënjët nisën të harrojnë
gjuhën e ujit
dhe gurët, emrat e të parëve.
Një grusht jetë prej teje
shekujt e puthën me mall,
si një betim të shenjtë
që s’e ndanë oqeanet.
Oborret kanë mbetur të zbrazëta
dyert hapen vetëm nga era,
në mure varen hijet
e atyre që ikën,
duke lënë pas një copë frymë.
Ç’u shkërmoqe, dheu im.
Apo ne u bëmë aq të huaj
sa nuk ditëm më
të qëndrojmë mbi ty?
