Dimrit i thashë, eja, or mik
Për darkë nga unë, raki të pimë
Pa m’u në dreq të vejë i ftohti
Rrebeshi me tërsëllimë.
Thinjoshi shtrembër më kundroi
Pastaj mëdyshas, nuk u gjegj
Or mik, nxito, i fola prapë
Era fytyrën po më rregj.
I marri plak çapiti lehtë
-Ku të kam parë -tha nën zë.
Kur ti nis rrugën kthehem beftë
Gjurmëve të tua, zjarrin u vë.
Kur sosëm zjarr të madh ndeza
Gjer në agim pije pa fund
Iu shkrinë thinjat perandorit
E krejt i dehur u përkund.
Ra. Rashë edhe unë mbi
të gjorin dimër babaxhan
U zgjuam. Dimri, krejt pranverë
Unë krejt i ngrirë, kallkan.
