BallinaVitrina e libritElmije Sylaj -Ajazi-Ylberi pas shiut

Elmije Sylaj -Ajazi-Ylberi pas shiut

Bjer, o shi…

Bjer, o shi, ndaq me rrëmbim e ndaq me qetësi, shpëlaji udhët e kësaj bote, merri me vete të pavërtetat që u thanë, ato që ranë mbi tokë e mbetën si pluhur mbi shpirtin e saj. Laji gjurmët që nuk i përkasin së vërtetës, por mos e shuaj atë që duhet të mbetet.

Fryj, o erë…

Fryj, o erë, ndaq e lehtë, e ndaq tornado, përshkoji udhët e kësaj bote, shpërndaji retë, largoji hijet, merri me vete fjalët që s’gjetën të vërtetën. Fryj mbi gjithçka që shiu nuk e mori, mbi gjithçka që ende rri pezull në ajër, dhe mos lër jehonë aty ku nuk ka më vend për të.

Ngroh, o diell…

Ngroh, o diell, ndaq djeg e ndaq ngroh, ndriço mbi gjithçka që shiu lau e era shpërndau. Le të ndiejë secili rrezet e tua ashtu siç i takon ta ndiejë: dikush si zjarr që ia zbulon plagët, dikush si ngrohtësi që ia zgjon shpirtin. Sepse drita jote nuk ndryshon, veçse secili e përjeton ndryshe.

Dhe ti, o ylber…

Dil pas shiut, pas erës e pas dritës, shtrije bukurinë tënde mbi qiell, si një urë mes asaj që kaloi dhe asaj që ende duhet të vijë.

Mos u bëj vetëm tregim në gojët e të tjerëve, as pamje që ma përshkruajnë nga larg. Unë dua të të shoh, dua të qëndroj nën qiellin tënd e ta dëshmoj vetë bukurinë tënde.

Sepse një gjë dua, pas gjithë shiut, erës e diellit: ta shoh ylberin me sytë e mi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT