BallinaVitrina e libritDalinë Arifi-Prapë dhe një herë

Dalinë Arifi-Prapë dhe një herë

Na u kryqëzuan rrugët përsëri,
prapë heshtëm, sikur s’u njohëm kurrë.
Ulëm shikimin, sepse kishim frikë…
Frikë nga çfarë?
Mos na kuptonin të tjerët
se ne ishim po ata,
se ne ishim ende ne.

Sytë nuk heshtën kurrë,
përkundrazi, shkëlqyen.
Zemra rrahu ndryshe sot.
Buzëqesha nën buzë, sepse të pashë.
Në heshtje bërtita…
Prapë u kryqëzuam.

Ti në rrugën tënde,
unë në një drejtim tjetër,
me mendje e shpirt tek ti,
tek ne…

Ne morëm kahje të ndryshme,
njëri djathtas, tjetri majtas.
Thjesht, bota është e vogël
dhe kjo rrugë, ndoshta,
do të na bashkojë sërish.

Si do të jetojmë kështu ne,
duke u takuar përsëri,
rastësisht,
kur zemrat tona
nuk e kanë harruar njëra-tjetrën?

Dhe sa herë do të na kryqëzohen rrugët,
pa guxuar të ndalemi,
pa guxuar të flasim,
duke i thënë gjithçka njëri-tjetrit

me sytë që nuk heshtën kurrë?
Si do të jetojmë kështu ne…
duke u takuar rastësisht,
duke u ndarë përsëri,
e duke mbetur gjithmonë
aty ku nuk mund të jemi më:
tek ne

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT