BallinaVitrina e libritElisa Kocaqi-LERI TË SHKOJNË…

Elisa Kocaqi-LERI TË SHKOJNË…

Lëri të ikin,
lëri të enden,
të vijnë e të ikin,
të ikin e të vijnë…
Lëri, miq,
se ndoshta kështu e kanë mësuar jetën.
Lëri të shkojnë ata që s’dinë të qëndrojnë,
ata që sot të përqafojnë,
e nesër as derën s’ta njohin.
Lëri të dashurit,
lëri miqtë,
lëri edhe ata që dikur të thanë:
“Këtë derë s’do ta mbyllim kurrë për ty.”
Lëri…
Se fjalët janë të lehta,
por të qëndrosh kur vështirësohet jeta,
kjo kërkon zemër.
Lëri të ikin,
se të zotët qenkan…
Apo të marrë janë,
që s’e kuptojnë çfarë lënë pas?
Lëri, mos i ndal.
Jo çdo njeri që largohet meriton të ndiqet,
jo çdo derë që mbyllet meriton të trokasësh përsëri.
Se jo çdo humbje është humbje,
ndonjëherë është shpëtim.
Lëri…
Se peri nuk kalon nëpër gjilpërë
pa u shpuar.
Dhe zemra nuk mëson të jetë e fortë
pa u plagosur.
Por ti…
ti mos u bëj si ata.
Mos mëso të bësh keq,
vetëm sepse të kanë lënduar.
Mos u bëj gur,
vetëm sepse të kanë thyer.
Mos e mbyll zemrën,
vetëm sepse dikush nuk ditur ta ruajë.
Ti nuk je mësuar të bësh keq.
Dhe kjo nuk është dobësi.
Është ajo pjesë e jotja
që bota s’duhet të ta marrë kurrë.
Lëri të shkojnë…
Edhe ata që i deshe,
edhe ata që i mbajte pranë,
edhe ata që i quajte shtëpi.
Lëri, miq…
Sepse shtëpi nuk është ai që të thotë
“derën e ke gjithmonë hapur”,
por ai që nuk të lë të ndihesh i huaj
kur jeta të nxjerr jashtë.
Dhe kur të ikin të gjithë,
mos e pyet veten pse nuk qëndruan.
Pyet veten nëse, mes gjithë atyre largimeve,
ke arritur të mos humbasësh njeriun më të rëndësishëm…
VETEN.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT