BallinaVitrina e libritCIKËL POETIK NGA GIULIANA DONZELLO

CIKËL POETIK NGA GIULIANA DONZELLO


FRYMIM I THELLË


U shtriva
mbi një shtrat rreckash
që rënkojnë si gjethe të thara,
të fshikulluara nga frymimi i erës.

Pranë,
më vijnë çastet e dikurshme,
mbi rërën e lagësht,
mbështjellë nga një mantel
shkumëzues deti,
të përkëdhelë intimitetin tim të zhveshur.

Dhe si një gjethe e ngurtësuar nga kripa,
si për magji,
ende,
përndjek
anijen e vjetër të kujtimeve
të cilat koha m’i shënoi.

Shenjat që trupi im mbart
janë damarë limfe,
të cilat kanë rrjedhur gjak
edhe nga vibrimet e degëve më rezistuese.

Frymoj atë ajër dhe atë det,
për të cilin u shndërrova në valë,
frymoj erën që në ëndërr
më shpie larg,
drejt një bregoreje të vogël,
së cilës i ofrohem
që të mundet, si atëherë…
lëkurën time të puthë.

E ndiej…
dhe kjo është çka dëshiroj:
të fluturoj me flatra të reja,
të dashuroj dhe të të dua,
kështu,
zhytur
mes tingujsh të vyer yjëzimesh.


DITA JONË E PËRHERSHME


Dashuri e përkorë
heshtjeje dhe vetmie,
përkushtuar përjetësisht
shkujdesjes sonë të përkohshme.

Lart ngjitet
flladi i mëngjesit,
të zbukurojë gjithçka
me ngjyrën e shiut,
të vizatojë ditët
mbi gurët dëshpërues e të zymtë.

Kurrkund,
nuk e gjej
bregun e poetëve,
që për dashurinë
me ëmbëlsi i japin ton
këngës së faljes.

Fluturon në varg fjala,
pa krahë
në vendin gjelbërues të gëmushave
me zogj e dëllenja të purpurta.

Hije të humbura ishim
në rrjedhën e trazuar të një lumi,
të një luledielli drejt perëndimit, përkulur.

Largohej avulli lozonjar i reve,
duke na zbuluar pemë
në një rreth gjelbërimi të ngushtë.

Një tjetër heshtje vrapon sërish sot
e në sy na depërton;
agim tjetër i shfaqet ditës sonë të përhershme,
mbi ne, vashëza të përhumbura:
me një lule mes flokësh, këmbë zbathur,
brenda ujit amniotik të kanaleve.

NË BATICË

Në orën e mëngjesit,

ende e praruar,
e rrumbullakët shfaqet hëna,

nën klithmën gjallëruese të pulëbardhave.

Kohës së zymtë
bregu i ngrirë, ish,
në forma harmonike
ujërash të paprekura,
rrjedhat mes myshqesh ngërdheshëse,
përgjërim shkëmbi i mavijosur
i një rrënjeje të përmbytur, gurgullon.

Në kohën e dashur të këngëve
dhe fluturimeve shumëngjyrëshe të pendëve,
batica…
O breg i dashur,
ti më fal kënaqësi,
më ngushëllon për ëndrrat e përhumbura,
bukurinë e çdo forme,
sot… kujtim.

Dallga e stolisur me kripë
ditëve që më përkasin,
vizioneve të reja do u rrëfehem
me një tjetër zë….

Përktheu: Angela Kosta

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT