Kina ka përfunduar me sukses fluturimin e parë të një makine të re fluturuese pa krahë në Changsha, në provincën Hunan. E zhvilluar nga kompania “Zhongfei Smart Manufacturing”, kjo automjet mund të ngrihet dhe të ulet vertikalisht, pa pasur nevojë për pistë.
Në vend të krahëve tradicionalë apo helikave të ekspozuara, ajo përdor një sistem shtytës me ventilatorë të brendshëm (të vendosur në kanale) dhe vektorë të lëvizshëm, për të gjeneruar ngritje dhe për të kontrolluar lëvizjen. Ajo mund të arrijë një shpejtësi maksimale fluturimi prej 150 km/h dhe ka një rreze veprimi deri në 300 km.
Prototipi me një vend është projektuar për të arritur një lartësi maksimale prej 3.000 metrash, me një lartësi operative të zakonshme prej 100 metrash dhe një kapacitet ngarkese prej 120 kg. Pas uljes, mjeti mund të kalojë në modalitetin e lëvizjes rrugore, duke arritur shpejtësi deri në 80 km/h, sipas specifikimeve të dhëna.
Kompania tani po kalon në fazën e provave para prodhimit, pasi ka përfunduar testimet fillestare të fluturimit dhe ato në skenarë të ndryshëm. Versionet e ardhshme mund të transportojnë deri në 15 pasagjerë, me mundësi përdorimi në operacione shpëtimi urgjente, shuarje zjarri, ndihmë në raste katastrofash dhe transport në distanca të shkurtra.
Burimi:
China Daily
