Atdhe, u mbështeta në kryet e tua,
Lotët më binin në prehrin tënd,
U enda udhëve të pafundme,
E pas unë lashë të bukurin vend.
Tashmë ndodhem në mes dy botëve,
Me dashurinë tënde gjithmonë në gji,
Të dua, vatani im i vyer!
Dhembja si heshtje m’u kthye në vetmi.
Larg teje qëndroj unë, biri yt,
E malli tinëz si kripë po më tret.
Trup e shpirt mbështetur tek ty,
Drita në zemër për ty ka mbet’.
Jastëk është guri i vendit tim,
E qielli m’u bë shtrojë në dhe të huaj,
Pragu i vegjëlisë loton pafund,
Vazhdon qan mungesën e bijve tuaj.
Zëri yt i ëmbël më thërret pa fjalë,
E dhembja ime bëhet bojë të shkruaj,
I lutem Zotit natë e ditë të më falë,
Pse të lashë, atdhe, e përsëri po vuaj.
Shqipëria ime si një mal i shenjtë,
Olimpi ynë, kudo jemi në botë,
Mërgimi na bën të të kemi më të shtrenjtë,
E sytë tanë gjithmonë veshur me lot.
