Nën dheun e ftohtë të rënët për një shpresë lirie,
Dergjen si ëngjej heronjtë tanë prej guri,
Sa gjak për atdhe ata paguan,
Që Shqipërinë ta ndrinte veç nuri.
Kjo tokë nuk është larë me gjak të flliqur,
Besa-besë, armët supit kishin ngjeshur,
Luftonin barbarët si të qenë luanë,
Me bark të pangopur e trupa të paveshur.
Liria s’zgjedh heronjtë, ata lindin,
Lindin nga gjiri i popullit dhe bëhen grusht i fortë,
Lindin nga ëndrra për të qenë të lirë,
Lindin nga të nënës lotë.
Këmbana e shpresës jehon në zemrat e çdo shqiptari,
Ne mblidhemi sa herë ka nevojë Shqipëria,
Ja të vdesim, ja të rrojmë, është betimi,
Në ballë të stuhisë ndizet flakë liria!
Liria kurrë nuk të falet, ajo kërkon gjak,
Dhëmb për dhëmb, ballë për ballë, në çdo gur e sokak!
Pa luftë e sakrificë, pa plagë e pa dëshmorë,
Nuk lulëzon atdheu në shpirtin arbëror.
