A mos vallë edhe hëna u zbeh mbi liqen,
se hijeshia e vashës e la ndofta në mërzi?
Ajo fshehu fytyrën pas reve e më nuk del
se pranë magjisë së saj u përhumb n’bukuri…
A mos vallë dhe dielli të dal sot paska frikë
se balli i saj ia vjedh atij çdo rreze,drite?!
Ai tutet pas reve, si një mbret pa madhështi,
se përballë asaj fytyrë e humbet krejt lavdinë…
A mos vallë yjet bien dhe qielli mbetet bosh,
buzët e saj marrë i paskan si thesare mbi fron?
Yjet u shuan një nga një, si qirinj në një altar,
se bukuria e saj i bën të duken veç një grimë ar…
A mos vallë kur lulet çelin e përkulen mbi bar,
se faqet e vashës i kanë vjedhur ngjyrën e parë?! Trëndafili zbehet, manushaqja ul kryet në shi,
se pranë saj edhe pranvera ndihet me pak bukuri…
A mos vallë era vjen dhe flokët ia prek me mall,
do të vjedhë një copëz që shpirtin të mbaje gjallë?!
Ajo ndalet mbi supe harron udhën për të shkuar,
sikur gjithë universi për një çast të ketë ndaluar…
A mos vallë kur deti ngrihet,dallgët bëhen qetësi, mbase në shtatin e harkuar ka gjetur thellësinë?!
Ai palos dallgët në breg, si një poet që mbjell fjalë, se përballë bukurisë së saj edhe ai mbetet gjallë…
A mos vallë dhe mali hesht, ul kryet në re,
pranë shtatit të bardhë ai do te struket,aty fle?!
Shkëmbinjtë thërrmohen, dhe treten ngadalë,
kur ajo kalon zgjon një agim mbi çdo mall…
A mos vallë, kur retë grisen, qielli derdh ar mbi ty, mos kërkon të të ngjajë pak, duke të te parë në sy?! Edhe nata vesh yjet, si kurorë mbi tuat flokë
por mbetet shkretë përballë syve te zinj plot botë…
A mos vallë natyra të sheh dhe bëhet ziliqare?
Hëna, dielli, yjet e çdo bukuri qiellore e tokësore?!
Por ti ecën qetë, e bardhë, si një ëndërr pa fund,
pa e ditur se për ty krejt natyra paska përhumb!..
