Eci në brigjet e ëndrrave të mia,
më shfaqen hije me brirë të shtrembëruar,
Vijnë si djaj a si zjari me shkëndija
me sy të egër, të ftohtë, të tërbuar.
Ik prej tyre si era në natën e ftohtë
po këmba që dhemb s’më lë të nxitoj,
Kërkoj një dorë të fortë e të ngrohtë,
që larg këtij terri njëditë të më çojë.
Më merr prej kësaj balte të pistë,
ku ligësia për gryke të shtrëngon,
ku zemra dridhet nga një frikë
E shpirti lodhur në vetmi rënkon.
S’të pashë askund nëpër atë udhë,
kur hijet më rrëmbenin pa mëshirë,
e loti i syrit dilte nga malli I sëmurë
Më bëhej si lumë që rridhte në luginë.
Kjo botë qenka me ferra e gjemba,
me plagë që djegin si zjarr i zi,
por gjej një kosor t’i presim ngahera,
e flakën t’ua vëmë pa na penguar njeri.
Të digjen kuçedrat bashkë me këtë frikë
të mbetet vetë drita mbi këtë dhe,
që ëndrra ime të marrë frymë lirë,
si zog i bardhë i humbur mbi re.
