Lamine Yamal e ka zbuluar bisedën emocionuese që e pati me Lionel Messin menjëherë pas finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja e mposhti Argjentinën.
Për talentin e Barcelonës, fjalët e legjendës argjentinase e kishin një vlerë të jashtëzakonshme, pothuajse sa vetë medalja e artë e fituar.
Pas triumfit historik të Spanjës në finalen e luajtur në Nju Jork, Yamal dhe Messi u panë duke biseduar për disa çaste në fushë.
Duke folur për atë moment, 19-vjeçari e zbuloi mesazhin që e mori nga tetë herë fituesi i “Topit të Artë”, shkruan “Goal”, përcjell “Gazeta Express”.
“Më tha të vazhdoj në rrugën time dhe se e ardhmja i përket brezit tonë. Ato fjalë kanë për mua po aq vlerë sa medalja e artë që e mbaj në qafë”, deklaroi Yamal.
Pavarësisht se e mposhti Messin në finalen e Kupës së Botës, Yamal theksoi se admirimi i tij për ikonën argjentinase nuk ka ndryshuar.
“Është dikush që e kam admiruar gjithmonë. Në fund të ndeshjes shkova tek ai për t’ia treguar respektin tim”, u shpreh ylli i Barcelonës.
Edhe pse Argjentina e humbi finalen, Messi e zhvilloi një turne të shkëlqyer, duke e mbyllur Kupën e Botës me tetë gola dhe katër asistime në tetë ndeshje.
Para finales, kapiteni argjentinas kishte dhënë fjalë shumë të mëdha për Yamalin:
“Është një futbollist i jashtëzakonshëm, një yll botëror. Është vetëm 19 vjeç dhe e ka gjithë karrierën përpara”, kishte deklaruar Messi.
Lidhja mes dy futbollistëve daton që nga viti 2007, kur gjatë një sesioni fotografik të UNICEF-it, një Messi 20-vjeçar e mbante në krahë dhe e lante në vaskë një Lamine Yamal vetëm pesë muajsh.
Ajo fotografi është bërë tashmë ikonike dhe, gati dy dekada më vonë, të dy u përballën si rivalë në finalen e Kupës së Botës, në një moment simbolik të kalimit të stafetës mes dy brezave të futbollit/Front online/.
