Shkruaj mbi letër si mbi një pëlhurë,
në xherxhef mendime të arta qëndis,
me fillin e fjalëve hollë e pa zhurmë,
kujtime të hershme në vargje stolis.
Çdo shkronjë bëhet një fije e hollë ure,
që lidh të djeshmen me agimin e ri,
mbi fletën e bardhë gonxhet çelin lule,
si ëndrra që zgjojnë heshtjen në gji.
Ndonjëherë filli endet nga trishtime,
ndonjëherë nga gëzime në zemrën tonë,
por çdo motiv që lind nga dora ime,
është pjesë shpirti, mbetur përgjithmonë.
Prandaj dhe shkruaj netëve deri vonë,
kur koha hesht e era bart fjalë pa zë,
shkruaj që të ruaj gjithçka që kalon,
sepse fjala mbetet dhe kur ikën çdo gjë.
E kur një ditë fjalët e mia do të heshtin,
mbi letër gjurmët përsëri do mbesin,
si qëndisja në xherxhef me dashuri punuar,
dëshmi se edhe unë dikur, këtu kam jetuar.
