Sipas gojëdhënës, më 16 qershor të vitit 1478, nëntëdhjetë vasha krutane u hodhën nga shkëmbi për të mos u bërë robinja të haremeve të pashallarëve osmanë. –
Shkëmbi është ende aty.
Poshtë këmbëve të tij hap gojën humnera e thepisur dyqind metër e thellë.
Dikur ishte thjesht një shkëmb pa emër në malin e Krujës.
Tani ka më shumë se pesë shekuj që thirret “Shkëmbi i Vajës”.
Nënat shamizeza vijnë e vajtojnë për bijat e tyre.
Mbështes kokën në gjoksin e tij të gurtë.
Shkëmbi rënkon ende nga dhimbja!
Era që fryn nga mali i Skënderbeut sjell zërat e vashave.
Të bukurat e dheut!
Zana mali, apo shtoizovalle në pyllin me bredha të gjelbër?
Dua ta përqafoj, por shkëmbi është shumë i madh për krahët e mi të vegjël.
-Të përqafoj dhimbjen tënde!- i lutem.
Humnera e thellë ma kthen oshëtimën:
-Dhimbja nuk përqafohet.
Dhimbja ndihet.
Dhimbja respektohet!
Dhimbja kujtohet.
Dhimbja nuk harrohet.
Shkëmbi foli me zë shkëmbi:
Në gjoksin tim mbajta nëntëdhjetë vasha.
Njëra më e bukur se tjetra.
Nëntëdhjetë virgjëresha.
Nëntëdhjetë hyjnore, zbritur nga yjet dhe hëna.
Në sy, dashuri për jetën.
Në ballë, krenaria për nderin dhe lirinë.
Ato nuk faleshin.
Ato betoheshin
Të kapura dorë pas dore:
-Kurrë robinja në sarajet e turkut!
Atë mëngjes të 16 qershorit 1478 pashë gjithçka.
Dhjetë vjet pas vdekjes së kryetrimit Gjergj Kastrioti, kështjella e Krujës ra.
Nuk u mposht dhe as nuk u dorëzua. Sulltan Mehmeti i Dytë u premtoi këshjellarëve lirinë.
Besa e turkut, besa e të pabesit!
Koca Davud Pasha, komandant i ushtrisë osmane, me gjak shqiptari të shprishur, kthyer në osman, kërkonte hakmarrje.
Burrat të shkojnë në shpatë! –
-Gratë dhe fëmijët të shiten skllevër!
-Vashat më të bukura të dërgohen në haremet e pashallarëve!
Muret e kalasë u mbuluan nga gjaku.
Gratë vajtonin.
Pleqtë shkulnin leshrat e bardha.
Nëntëdhjetë vasha, si nëntëdhjetë yje, zbritur nga qielli në një natë me hënë të plotë, vraponin drejt meje.
Shamitë e bardha ua shpaloste era e malit të Krujës.
Te shkëmbi, vajza!
Te shkëmbi, motra!
Liria dhe nderi kanë emër.
Në ballë printe ishte Marta, më e bukura dhe më e dlira e vashave krutane.
Kishin prerë ditën e dasmës me Kol Markun, princin mirditor.
Vajza e donte me zemër.
Djaloshi e donte me jetë.
Në gishtin e mesit ruante unazën e tij.
E puthi dhe thirri:
Kol, më kërko tek yjet… Aty do më gjesh.
Shkëmbi heshti një çast, sikur të fshihte sytë nga lotët.
Qajnë shkëmbinjtë?
-Qajnë legjendat!
Ti që erdhe tek unë sot, mos më pyet nëse është e vërtetë.
Mos më pyet sa ishin.
Mos më pyet nëse kënduan.
Mos më kërko emrat e tyre.
Emrat i mori koha. Por unë i mbaj mend zërat.
Desha të isha tokë në ato çaste dhe t’i prisja në krahët e mi, por ato nuk ranë.
Ato fluturuan lart.
Vallëzuan me yjet e qiellit të natës.
Nga buzët nuk u shqitej kënga e lashtë arbërore.
Pas treqind vjtetësh tridhjetë vasha suliote fluturuan nga sivëllai im, shkëmbi i Zollongut për të mos u bërë robinja në oborrin e Ali pashë Tepelenës.
Historia përsëritet.
Nderi dhe liria mbeten të shenjta në të gjithë brezat
Kam qenë këtu para tyre.
Jam këtu pas tyre.
Do të jem këtu në përjetësi.
Unë jam shkëmbi.
Vashat janë mali.
Janë legjendëa….
