BallinaVitrina e libritQirici Mina-Shpirti i nënës ndezi yjet

Qirici Mina-Shpirti i nënës ndezi yjet

Tregim

Kortezhi u shtang.
U nguros.
Mbeti pa frymë.
Qielli lëshonte rrufe. Vetëtimat çanin errësirën. Shtrëngata ulërinte mbi varrezat e qytetit. Krismat e bubullimave shpërthenin drithërueshëm.
Shiu zbriste i zemëruar nga qielli sterrë.
Më i zi se vetë vdekja që rrinte aty pranë.
Të gjithë i kishin ngulur sytë varrit të hapur në atë pasdite të kobshme.
Të hutuar.
Të tronditur.
Të frikësuar.
Të mpirë.
Ëndërr apo zhgjëndërr?
Varrëmihësit shtrëngonin me duart e lodhura e të përbaltura litarët.
Arkivoli nuk zbriste në varrin e zi.
Banesa e përjetshme e nënë Evës.
Qëndronte pezull në ajër.
Si me magji.
Ishin zgjuar legjendat e lashta?
Gruja me fustan të zi bëri tri herë kryqin.
-Mos, o Zot…
Burri flokëbardhë, symbushur me lot, psherëtiu me dhimbje:
-Eva ime… E di pengun dhe brengën tënde. Nuk do të zbresësh në dhe, o shpirt i dashur.
Pret atë që i dhe jetën.
Pret atë që ta shkurtoi jetën.
“Mbi fëmijët nuk vë askënd në këtë botë…”
Të ngriu buzëqeshja në buzë.
Loti në sy.
Loti i nënës!
Loti I brengës!
Çfarë i the djalit tënd, dritës së syve?
“Festoje qoftë edhe një herë ditëlindjen me ne, o bir…”
Sa pak kërkove!
Sa shumë dhe!
Me dashuri nëne.
Me mall nëne.
Me sakrificë nëne.
Me jetë nëne.
Zemra të plasi.
Fryma të ndali në kraharorin e brishtë.
Aty ku ai dikur mbështeste kokën.
Aty ku i fale qumështin e jetës nga jeta jote.
Dhe u këpute.
U shtrive përdhe sii gjethe vjeshte që era e dimrit e shkund pa mëshirë.
Një ditë e pyetën Senekën:
-Çfarë janë fëmijët, o njeri i ditur?
Filozofi u përgjigj:
-Janë engjëjt e Perëndisë.
-Po nëna?
-Është vetë Perëndia.
Zoti nuk mund të ishte kudo, ndaj krijoi nënën.
Të japë jetë.
Dashuri.
Mirësi.
Fisnikëri.
Të durojë dhimbjet.
Të falë.
Dikush psherëtiu:
-E zeza nënë… Nuk hyn në dhe pa ardhur i biri…
Papritur turma u drodh nga thirrjet:
-Erdhi!
Erdhi!
Në krahë mbante një kurorë me trëndafila të bardhë.
I ati ia preu hapat.
-T’ia sillje kur ishte gjallë!- i tha me zemërim.
Djali nuk foli.
Sytë i kishte të lagur.
Nga lotët apo pikat e shiut?
Arkivoli qëndronte ende pezull mbi varrin e përbaltur.
-Nini, të lutem… Më lër t’u marr erë duarve që sollën lulet. T’i marr me vete në banesën time të fundit. Mishi e eshtrat do të treten, por dashuria për birin tim kurrë…
Fliste shpirti i nënës?
Apo mrekullia dali befas nga legjendat e moçme?
Nini vendosi lulet mbi arkëmort.
Për habinë e të gjithëve, arkëmorti zbriti ngadalë, si mbi krahë engjëjsh, në banesën e fundit.
Në mbrëmje, shtrëngata pushoi.
Shiu reshti.
Qielli u hap.
Shpirti i nënës ndezi yjet.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT