Në dy çerekshekujsh
kaloi jeta ime,
gjysmëshekulli e pak më shumë,
u bënë vitet copë-thërrime
jeta shtigjesh rrodhi lumë.
Se si shkuan,se si rrodhën,
i mbuloi mjegullnaja,
si një film,si një ëndërr,
loti trishtë rrëshqet nga vaja.
Në dy çerek shekuj a më shumë,
jeta ime lot e gaz,
shpirtin mbusha mërzi e qeshje,
e tash hallesh shpirtin zbraz.
Në fundshekulli rinibekuar,
u blatova me mirësi,
në fillim shekulli trazuar,
pres të dhimbshmen pleqëri.
Në dy çerek shekuj,dy sisteme,
ekstremisht baraslarguar,
dy mendësi, bindje ,ide,
por një popull i sprovuar.
Dy çerekshekuj brezi im,
mes dy kohësh haphepuar,
ndarë dy pjesë një komb i vogël,
një atdhe lirivonuar.
Dy çerek shekuj nuk mjaftuan,
sërish mes dy kohësh mbetur,
gjysma ikur anë pa anë ,
gjysmat e gjysmës në dyzim mbetur.
