BallinaVitrina e libritSelami Taraku-TURPI I VARFËRISË

Selami Taraku-TURPI I VARFËRISË

Më the se vetëm njëherë në ditë po ushqehesh, si të ishte luks i rrallë,
se barnat i ke përgjysmuar, si të ndaje jetën me thikë në dy gjysma pa fjalë.
Se po ik prej njerëzve, që të mos të shohin në sy,
se po të vjen turp, se s’ke asnjë kafe me ta për ta pirë.

Më the se në errësirë po rri, se as ndriçim nuk ke në shtëpi,
se s’ke para për rrymën, dhe drita është bërë luks për ty.
Se po mbulohesh me tri palë rroba të vjetra, për të mashtruar të ftohtin,
se dridhesh jo veç nga dimri, por nga fatura që ta fik edhe shpirtin.

Se rrymën s’e paguan dot, dhe nata të hyn në palcë si frikë,
se edhe drita të duket luks, në këtë jetë që të ndrydh e të shtrydh pa mëshirë, edhe dje, edhe sot, e në çdo muaj.
Dhe unë pyes veten: në çfarë kohe po jetojmë ne sot,
kur njeriu turpërohet nga varfëria, e jo nga hajnia që rritet si kob.

Kur ai që s’ka bukë të hajë, ul kokën si fajtor në rrugë,
ndërsa ai që ka vjedhur gjithçka, del krenar dhe flet si zotëri pa turp.
Kjo s’është jetë, është gjyq pa drejtësi për njeriun e ndershëm,
ku të varfrit dënohen me heshtje, dhe të pasurit shpërblehen për krim të përhershëm.

Ku turpi është për atë që s’ka, e jo për atë që ka marrë pa hak,
dhe drejtësia fle e qetë, mbi jastëkun e mbushur me gjak.

Më the: mirë që në këtë fatkeqësi kam mbetur vetëm, pa zë, pa dëshmitar,
se fati m’i mori gruan dhe vajzën më herët, si plagë që s’ka shërim, veç varr.
Se s’do të mund t’i shihja në këtë varfëri, e të më shuhej drita në sy,
andaj më lehtë e kam i vetëm, me dhimbjen që më ha përditë në gji.

Më the: po më duket se po luaj, si fëmijë që s’e di ç’është kjo jetë,
duke mashtruar veten me kujtime, që të mos çmendem në këtë realitet.

Por dije, turpi s’është i yti, edhe pse ta kanë veshur si rrobë,
turpi është i kësaj kohe, që e lë njeriun të ngrijë, të heshtë e të bëhet rob.

Se një ditë, kur e vërteta të zgjohet nga ky dimër i gjatë,
do të shihet kush ishte njeri, dhe kush jetoi duke të lënë pa fat.

Dhe unë i gëlltita me psherëtimë fjalët tua, pa zë, pa jehonë,
dhe thashë me vete: s’qenkam i vetëm, në këtë heshtje që vret si plumbi, si turpi i varfërisë.

FJALA E AUTORIT
( Komenti im)

Kjo poezi lindi pas një takimi të rastësishëm me një koleg,
për të cilin kisha shkruar më parë edhe në Facebook.

Nuk ishte thjesht një përshëndetje — ishte një rrëfim që më la pa fjalë.
Më foli për jetën e tij, për varfërinë që e kishte detyruar të tërhiqej nga njerëzit,
për turpin që ndiente pa qenë fajtor.

E dëgjova… dhe në atë çast e kuptova se nuk kisha përballë vetëm një njeri,
por një realitet që po e jetojnë shumë të tjerë në heshtje.

Kjo poezi nuk është shkruar për efekt,
por për të mos e lënë atë rrëfim të humbasë.

Sepse ndonjëherë, një histori e vetme
mjafton për të treguar të vërtetën e një kohe të tërë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT