Shkruan Fadil H Curri
Dëshmori Fejzullah Sokol Graiqevci. Ishte i lindur me 22 janar të vitit 1951, në fshatin Hade të komunës së Kastriotit (ish Obiliqit). Shkollën fillore e kishte të mbaruar në vendlindje, ndërsa të mesmen e kishte mbaruar në vitin 1971, në Kastriot. Me qëllim për ta ngritur dhe për ti ndihmuar familjes, z, Fejzullahu zë punë në Termocentralet e Kosovës. Pasi ishte aftësuar në profesionin e xehtarisë, punoi në këtë termocentralë deri më datën 2 shtator të vitit 1990. Për shkak të pjesmarrjës në grevën e 3 shtatorit të vitit 1990, me qëllim që të mos i pranonte masat e dhunshme të okupatorit serb, Fejzullahu ashtu sikurse edhe mijëra puntorë shqiptarë dëbohet nga vendi i punës.
Në qershor të vitit 1998, pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin zgjeruar pikat e rezistencës nga Qyqavija në disa fshatra të Artakollit dhe fshatrat Bardh i Madh, Hade, Graboc e të tjerë. Nën udhëheqjen e komandantit emblematik të UÇK-së, Fehmi Lladrovci dhe bashkëluftëtarve të tij si: Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Sabit Lladrovcit, Ilaz Dërguti, Shaban Shala e të tjerë, fillon zgjerimi i radhëve të UÇK-së deri në fshatrat e Kastriotit, duke iu afruar Prishtinës. Fejzullahu asokohe kishte kontakt me komandantin e njësitit të fshatit Hade, Enver Graiçevci. Ai pa asnjë hezitim fillon të ndihmojë luftën çlirimtare dhe zgjerimin e saj. Kërkon nga eprorët që mundësisht ta pajisin me një mortajë dore, meqë kishte njohuri në përdorimin e saj të përpiktë.
Në betejën e datës 29 qershorit të vitit 98, Fejzullah Graiqevci ishte në prapavijë, në bunkerin numër 1, ku kishte siguruar edhe hapsirë për goditje në drejtim të forcave të armikut. I ndodhur në një pozitë ballë për ballë me forcat serbe, ashtu sikurse edhe luftëetarët e tjerë të lirisë, ai godet me mortajën e tij në drejtim të forcave armike, duke i prapsur ato, thotë ish-komandanti i pikës në fshatin Hade dhe bashkëluftari, z. Enver Graiqevci.
Në luftimet ballë për ballë me forcat serbe, gjatë asaj dite, Fejzullahu merr lëndime të lehta nga shpërthimi i granatave të pandërprera të armikut. Në përballje të fuqishme kundër forcave serbe, atë ditë në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së, duke luftuar kundër forcave të panumërta armike bijnë në altarin e atdheut: Mentor Dërvishaj, Ismet Uka dhe Xhemajl Mehmeti. Trupat e tre dëshmorëve ishin tërhequr, ndërsa bashkëluftëtaret i varrosin më 30 qershor të vitit 1998. Qyqavicës qëndruan të pathyeshëm deri në fund të luftës.
Atje qenë zhvendosur edhe shumë familje të fshatrave që ishin nën kontroll të UÇK-së, të cilët gjatë tërë verës së vitit 1998, nuk u larguan nga vendi. Në prill të vitit 1999, forcat serbe po përgaditeshin për të ndërmarrë sulme të fuqishme kundër të gjitha bazave dhe pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa më 18 prill 1999, forcat serbe ndërmorën ofensivën e përgjithëshme kundër të gjitha pikave dhe fortifikatave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fejzullah Graiçevci, asokohe ndodhej i sistemuar në togën e komandantit Fehmi Mjekut. Ishte i pajisur me mortajën e dorës. Nga pozicioni i tij sulmon në çastin kur makineria e motorizuar armike sulet drejt istikameve. Synimi i Fejzullahit ishte mbrojtja e popullates civile, mirëpo: Sulmi ishte zhvilluar ballë për ballë dhe arma armike godet për vdekje, Fejzullah Graiçevcin, i cili ditën e 19 prillit bie në altarin e atdheut, duke fituar përjetësin dhe epitetin e lavdishëm dëshmor i kombit.
Po atë ditë forcat serbe martirizojnë në rrethana të ndryshme edhe 12 banorë të tjerë të Grabocit e të fshatrave përreth.Të nesërmën, bashkëluftëtarët e dëshmorit Fejzullah Graiqevcit e varrosin trupin e tij, në fshatin Graboc i Epërm. Në radhët e UÇK-së në zonën e Artakollit luftën e vazhdon edhe djali i tij Mergimi, i cili ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së që prej dates 22 qershorit të vitit 1998, në Brigadën 142. Lavdi veprës heroike të Dëshmorit të Kombit, Fejzullah Sokol Graiqevcit dhe të gjithë, Dëshmorëve e Martirëve të Kombit tonë…
