Ulur pranë dritares, si rrallë i përmalluar,
natyrën sodis me ëndje dhe plot kureshtje.
Ca zogj një degë t’thatë ulliri kanë pushtuar,
ndërsa gjethet e rëna lotojnë në heshtje.
Edhe ullirit nga harresa i rrjedh lot
shikimin nga unë nuk do që ta heqë.
“M’ke lënë në mëshirë”, sikur më thotë,
“ndaj jam katandisur si mos më keq”.
Vetes i kthehem, një mendim i kërkoj,
përgjigjen ma kthen me zë të acaruar.
S’di ç’të të them, as se si të veproj,
por një debat me ty s’e kisha menduar.
“Do dhe të tallesh?” më thotë me zemërim.
“Kërkon mendimin tim që të ngushëllohesh.
Kur ike, çantën mbi sup hodhe me nxitim,
dhe pse nga pas thërrisja: ‘Do pendohesh!’
Natyra, jashtë, qeshte me fjalët tona,
gjithnjë e më afër dritares sonë qe afruar.
“Dëgjova tek flisnit”, tha, “dhe po mendoja:
s’kisha parë kurrë më parë me veten duke debatuar!”
