BallinaVitrina e libritZanë Memeti-Lotë pëllumbash mbi plagë

Zanë Memeti-Lotë pëllumbash mbi plagë

E ndiej dridhjen e gjunjëve të tu;
arkitekturë prej mishi,
që po lëkundet në zgrip.
Zemra jote,
ka dalë prej ekuilibrit, Albionë!
Tik- taku i saj i çakorduar,
të ka ngecur në fyt,
si një zog i zënë në kurth
nga thonjtë e vetmisë.
Shputat tua, mike…
gjysmat e skicojnë
gjeometrinë e rënies,
gjysmat e mbajnë
peshën e një bote,
që po shembet.

Mos e kthe kokën pas!
Një mikrolëvizje tani,
është fatale,
dallgët e tërbuara poshtë,
të presin në përqafimin e ftohtë,
e të sigurt të vdekjes.

Drita jo gjithmonë
të bën të shohësh, mike.
Ndonjëherë ajo
është një thikë e shndritshme;
kur ia fal shikimin të tërin,
të verbon.
Erërat po ta godasin shtatin,
për të ta kujtuar që ende, je.

Bëj një hap pas, Albionë!
Ose dy.
Bindju erërave!

Mos kërko pas shpinës një protezë prej hijeje!
Ai krah që duhej të zgjatej tani,
mu tani,
mbeti një trung i tharë nga uni.
Ka kohë që krijesat
e quajtura Romeo,
janë kthyer në fosile të përrallave të vdekura.
Gjithandej, Albionë, gjithandej,
tokën e shkelin,
dashurinë e flijojnë Agamemnonë,
për ta ushqyer perëndinë e tyre të unit.

E di, je e katandisur.
Je një peizazh i thyer shpirtëror.
Por dëgjomë!
Pas teje nuk është zbrazëtia.
Jam unë, një tjetër,
edhe një e tretë,
edhe një e kushedi sa- të…
Fundja je me mua.
Nuk do t’i lëmë plagët vetëm.
Do t’i shërojmë ngadalë,
në heshtje
me lotët e pëllumbave,
që dinë të fluturojnë,
edhe pas rënies…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT