Thursday, March 28, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poeten Mimoza Halili

Cikël poetik me poeten Mimoza Halili

Kujtimet e arta

Eh, ma kishte ënda të ndizja një cigare.

Të humbisja mes shtëllungës së tymit nikotinë.

Se retë e moshës seç tregohen xanxare.

S’t’i fsheh ndryshimet kur vickla psherëtin.

Se këto huqet në trup përdridhen si gërnjare.

Vërdallosen në akrepin e ditës e duan kujdes.

Ah, moj rini, kur këndoje dikur si lozonjare

Unë vrapoja shtegut të jetës çdo mëngjes.

Natyrisht s’të harroj se as zemër nuk kisha

Sa herë të kam përfytyruar ditë e natë.

Si sonambule dramash, e tëra me ty dridhesha.

Edhe pse më vjen sot këtu si imagjinatë.

Vjen e ikën pa fjalë e heshtur në mallëngjim.

Dhe unë mbeta kureshtare në rrëfimin tënd.

Nostalgjinë e viteve më dhe si përqafim.

Në simetrinë e kohës kujtimet m’i sjell ndër mënd.

Ti flisje për rrugët që përshkoja dikur në qytet.

Për vatrën e shtëpisë oh, sa më ka tretur malli.

Kur llozi i derës më ka harruar gungat në siklet.

Edhe kur pengjet përflasin me brengë halli.

E këtë brengë dua ta stolis me kordele feste e gosti.

Të shtroj tryezën, të hap kanat më kanat në vatra

Në verandë të më mblidhen miq për dolli.

Të gumëzhijë vallja e gërneta derisa të agojë nata.

Të zbukuroj sofrën me gatimet myzeqarçe.

Gjel deti, turshi dhe byrekun me gjizë.

Të mbush gotat me raki dhe verë lushnjarçe.

Të servir fruta, bakllava dhe tavë bibë me oriz.

Ah, vatër e ngrohtë sa kam për të treguar!

Buka e emigrimit është si loti i ngratë.

Në perimetrin ekstazë sa shumë më ke munguar.

Pa ty në vetmi përngjaj si pemë e thatë.

Eh, ndaj thashë për momentin të ndez një cigare.

Se vitet ikin e kujtimet nuk njohin stinë.

Oh, sa adhuron zemra në dëshirën kanakare.

Urime dhe gëzime larmon për dashurinë.

Valsi i jetës

Nuk ka rëndësi çfarë moshe je

Bukurinë e stinës relakson në shpirt

Ti ke aromën e rrallë të një luleje

Që çel gonxhet e freskëta çdo vit.

Gjithë kohën të thërras lule- mimozë

Për ty dhe yjet vezullojnë në qiell

Si një lulishte me trëndafila rozë

Më duket jeta kur shkëlqen si diell.

Mos u vyshk asnjëherë,kështu të them

Përqafoje jetën,moj shtatbegonjë

Kur buzëqesh TI s’ka enigmë e dilemë

Në më ngjan si flutur apo si xixëllonjë.

Të gjitha ngjyrat vallëzojnë rreth teje

Shih,si vijnë të puthin lehtë në harmoni

Metaforën e lumturisë kërko e gjeje

Tek refreni i këngës thurur me simfoni.

.Harta e moshës

Nuk shqetësohem kur shoh hartën e trupit

As kur rrudhat shtohen e mblidhen mbi ballë

As kur më zvogëlohet bebja e syrit

Në aortën e zemrës ngjaj si rubini i rrallë.

Nuk më trembin ndryshimet e moshës

Edhe kur veset heshtin e flasin përçart

Dehem në natyrën e flladit joshës

E krenohem sikur shëtis në Hënën e artë.

Zhytem në detin e vakët të ndjenjës

Shijoj të tëra ngjyrat që i kam për fat

S’më duhet dieta në deformimin e linjës

Të jesh nëne është si guri i shahut në mat.

Jam piktore e jetës që më përket

Si një lule jasemini çelur në saksi.

Kur përreth të gëzuar më mblidhen djemtë

Unë kthehem perëndeshë në fronin mirësi.

E vendos të bëhem një çast skluptore

Të dukem si lisi i gjatë, e jo si dru në kërrusje

Të zbukuroj thinjat si kaçurrelat në floktore

Mbi to të vë një karficë prej copëza bambuje.

Në duart e mbushur me kallo si nikoqire

Do rrjeshtoj vitet t’i shoh zinxhir si bizhu

Të kem ç’tu tregoj mbesës dhe nipërve

Atë që jeta më mësoj të flas në gjuhë.

Nuk humbas kurrë në hartën e trupit

Në çdo kohë aty do shijoj ëmbëlsisht kafenë

Më tërheq, edhe kur s’ka shijen e mjaltit

Çdo mëngjes i them, hë, si ma ke ngenë?!

Do ulem si konteshë në pendën e fazanit

Të ndiej bukurinë e ashtit të dashuruar.

Paçka se rrudhat më duken si gjethja e manit.

Do t’i buzëqesh çapkënçe duke e përqafuar.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT