Monday, April 29, 2024
BallinaVitrina e libritImer Hysa -FJALË TË PATHËNA

Imer Hysa -FJALË TË PATHËNA

FJALË TË PATHËNA

Më kanë mbetur në vite fjalë të pathëna
Mbyllur në qelitë e burgut të heshtjes,
Por kurrë s’u rebeluan aty brenda
Për lirinë që s’u dhashë gjatë jetës.


Mbetën fjalë dashurie që s’ia thashë dot
Mikeshës që kam dashur në adoleshencë,
Mbase ishin fjalët që priste më fort
Si rrjedhë t’ia ndryshonin fatin në jetë.


Mbeti fjala që një shoku s’ia thashë
Dhe pse pas krahësh si dhelpër përgojonte,
Po unë në shoqërinë e miqve e lashë
Kokulur, syhapur para urtësisë njerëzore.


Mbetën pa thënë fjalët si nëpunës
Kur s’kisha të drejta, veç detyrime,
S’i thashë, luhej me kafshatën e bukës
Drejtonin mediokrit në zyrat e drejtorive.


Mbetën si në sëndykë të vjetër ato fjalë
Ashtu si dikur më vinin në mendime,
Të burgosura zemrës si flutur në qelibar
Si bukuri Hirusheje që s’kishte rebelime.


Ngelën ato fjalë të pathëna në harresë
Si barrë mbetën në kurriz tërë jetën,
Ngulur thellë si gozhdë në kujtesë
Ku varej fati apo rrjedha e jetës.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT