UNE KAM DIELLIN
Në mos më gjesh,
më ço fjalë me zogun e malit,
nji tufë me to më sillet ende mbi krye.
Rrezja e verdhë e diellit djeg
si vështrimi yt i fundit,
tik taku i nji zemre që po çmendet prej mallit,
si nji vajzë që ka veshë bluzën me lule t’pranverës.
Nji vorbull e pa fund ndjesish t’çuditshme
më ka përpi krejt.
Më rrah dielli dhe era me gjithfarë aromash,
nuk ia ndij mungesën shiut t’hollë t’vetmisë.
Pikla t’tjera m’vallzojnë n’sy,
kur të shof që ec aq shpejt.
E harroj trishtimin e natës s’pagjumë
e pa drithnime hyjnore që xhixhillojnë në sy;
Unë kam diellin e paradites në zemër,
ty due me ta falë.
Ka me t’pëlqy.
I K U D I M N I
Janë do zogj që e dallojnë dritën
vjet dritë larg e gjeth e m’gjeth,
si imazh n’nji monitor
për nji çast a për nji shekull.
Rrnojat mshehen n’gjoks t’djaloshit
që shkruen kangë me vargje t’murrmë
n’re t’bardha si fletë ditari.
Ka nji qiell’ me mall në sy.
Iku dimni.Mbet’ i vetëm
me dy re që shkojnë drejt jugut.
Tu i ra fyellit n’pyll të mrinave,
shef lejlekt dy e ka dy.
PAK DRITE….
Pika e fundit t’lotit m’ra e nuk kam ma,
e sytë më kanë mbetë pusa t’shterrun.
Laga xhixhat e tash s’kam dritë
me pa tokën ku ve kambën.
Pluhni nën kambë asht kthye n’brumë
e m’lutet-
M’hidh n’zjerm e t’bahem bukë.
Po a shkelet buka me kambë mor njerz?!
Kush asht ai fatzi,
me e mbajtë frymën gjallë me te?
Qiella asht sipër nesh me na i numrue kashatat.
Unë jam i butë si nji dre’ jashtë tufet,
që kërkon miq të ri në tufa tjera.
Do zogj e shofin dritën prej larg tu ardhë,
po s’dijnë me m’thanë a asht pa ngjyrë,
a asht e bardhë.
Bane Zot të m’ndalen n’ballë dy xhixhilloja
me ma shndritë rrugën se jam qorrue.
PERVEÇ FJALES…
Rreshtat,që i ve në strofa,
herë ka dy e herë ka katër,
as e ngrofin,as e ftofin
botën.S’ia hjekin nji ashkël.
Përveç saj,s’kam tjetër niet.
Përveç fjals s’kam tjetër mjet.