Vajza trokiti me ngut dhe padurim në portën e madhe të shtëpisë atërore.
Tre vjet pa kaluar pragun.
Tre vjet pa përqafuar mëmën.
-Cili je ti që troket ditën e Pashkës në derën time?
Mos je bushtra mortajë që helmove djemtë e mi?
Nëntë djem e nëntë nuse.
Të nënta me foshnja në duar.
Nëntë djepe m’i përmbyse.
Nëntë shpata m’i ndryshke.
Në ke ardhur të më marësh në mbretërinë tënde të zëzë, eja!
Kam tre vjet që të pres.
Vajza trokiti përsëri:
-Mëmë, hape derën! Jam unë, Dorina….
-Vdekja flet me zërin e sime bije?
Eh, Kostandin, biri im, i vogëlith!
Martove motrën nëntë male e nëntë lumenj kaptuar.
Më dhe fjalën se do ma sillje në shtëpi, në të mirë e në të keq.
Ku e ke besën, biri im?
Ta treti dheu i zi?
Si të treti mishin e të kalbi kockat?
-Zonja ime, mëma ime!
Sot është festa e Pashkës. Të kam prurë shportën e madhe me vezë të kuqe. Ashtu si na i bojatisje kur ishim të vegjël.
Të kujtohet?
Këndonim së bashku:
Veza është jeta.
Pashka është ringjallja.
E kuqja është gjaku.
Lozja vallen “Fëllëza dhe bilbili” në sheshin e fshatit të burrit tim të mirë.
Ti e quaje, “Kërcen Gramozi me vetëtimat”.
Me qiellin dhe me tokën.
Kostandini m’u shfaq shaluar mbi kalin e zi.
Dilte apo hynte në mjegullat dhe stuhitë?
Iu hodha në qafë.
-Kostandin i motrës!
Gjoksin, flokët, trupin ia mbulonte pluhuri i rrugës së gjatë.
-Eja, motër!- më tha.–Mëmën e ka zhuritur malli.
I kam dhënë besën.
Më hipi në vithen e kalit të zi.
Më të zi se nata e zezë.
Mëma hapi derën.
-Çfarë thua, bijëza ime?
“Kostandini i vdekur, ç’bën tre vjet pa tretur?”
-Betohem,mëma ime,
për dritën e dielli dhe të hënës,
për borën e bardhë të Gramozit që na shuan etjen me ujët kristal,
për lumin Osum që na ujit të mbjellat dhe na jep jetë,
erdha me tim vëlla!
Fluturuam mbi male, mëmë.
Mbi re.
Mbi dete dhe pyje.
Kostandini po çon tani kalin në ahur dhe unë erdha me vrap tek ty…
Ma kë djegur malli…
Zonja mëmë ngriu në mes të derës.
Nga sheshi i fshatit dëgjoheshin këngët dhe vallet e Pashkës.
Në ajër shpërndahej aroma e vezëve të kuqe.
Nënë e bije zbritën në ahur.
-Kostandin!
Era e mori në krahë emrin dhe e përplasi në malin e Gramozit.
-Kostandin!
E mori në gji dhe e zhyti në valët e Osumit.
-Kostandin!
Njëzet e shtatë varre flinin gjumin e përjetshëm në varrezat e fshatit.
Nëntë varret e vëllezërve.
Nëntë varret e nuseve.
Nëntë varret e foshnjeve.
Zonja mëmë u ul në gjunjë mbi varrin e Kostandinit.
I puthi pllakën e bardhë.
-Biri im, ti ma solle Dorinën?
E mbajte besën, djali im sybukur?
Si dole nga varri?
Si fluturove mbi kalin e zi?
I vogëlthi im, Kostandini im!
Varri heshtëte.
Guri i bardhë heshtëte.
Çdo gjë heshtëte si tre vjet më parë.
Bari kishte mbuluar tokën e njomë ushqyer me lotët e zonjës mëmë.
Dorina puthi gurin e rëndë të varrit.
-Vëllai i motrës, Kostandin!
Erdhëm bashkë, shtrënguar pas njëri-tjetrit.
Më nxisje të këndoja këngën e Caces.
Që fëmijë marroseshe pas këngëvetë bukura kolonjare.
“Cace, moj Cace,
nëm ca manushaqe…
Si vesë e vesuar,
plot tre vjet martuar…”
Njerëzit braktisën festimet dhe erdhën me një frymë në varreza.
Fjala kishte marrë dhenë:
-Kostandini është ngritur nga varri…
-Kostandini ka sjellë motrën në shtëpi me kalin e zi…
-Kostandini i vdekur, ende nuk është tretur?
Lotët iu ngrinë në sy motrës dhe zonjës mëmë.
-Kush e solli Dorinën?- pyetën me ankth njerëzit.
Mbi varreza ra drita e bardhë e majit. Një vajzë e re, e bukur, si zana e maleve, zbritur nga retë e bardha të Gramozit, u shfaq mes tyre.
E heshtur.
Fustani i kuq i shpalosej në erë si flakë zjarri.
Eci ngadalë, me hap të qetë drejt varrit të Kostandinit.
-Dorinën e solli Besa! – tha ajo.
-Po ti, cila je?
-Unë jam Fjala!
Fjala është dritë.
Drita nuk shuhet kurrë!
Vajza nxori nga gjiri i bardhë dy vezë të kuqe dhe i la mbi pllakën e varrit.
Burrat, gratë,djemtë, vashat, fëmijët, vendosën vezët e kuqe në varrin e Kotandinit.
Varri u mbulua me prush zjarri të ndezur.
U ringjall Kostandini,
apo Besa dhe Fjala?
Mina T. Qirici
Nga libri në proces:
“Vajza që e bë këngë”- Legjenda dhe balada shqiptare
