SI PRITET NDRYSHE
Te vendi i pikëpjekjeve
nëse vëren barin përkulur,
dije se, aty bëra një cop pritje.
Ti e di se,
vetëm bari është më i butë
se pritja.
Nëse vëren ndonjë tufë lule
të lagura,
dije se, vesa nuk i ka prek,
syt e mirë i kanë pikëluar.
Të prita ashtu siç pritet.
Pritja m’u bë këngë e vaj.
Si pritet ndryshe?
MALLI PËR DRUNJTË
Kam mall drunjtë.
Se drunjtë kanë vitet,
kanë stinët si unë.
Për mall
kam drunjë plot,
që s’i tret vdekja,
as atëherë kur prehen cung.
Se rrënjët kanë
trashëgim.
SONTE PA TY
S’dua ta shoh lotin,
jo.
Qërpikun mos e këput për mua.
Sonte ta kërkoj vesën
e buzëqeshjeve tua t’pranvershme.
Etjen kryeneqe dua ta mbys.
Se mendjen, qysh moti
e kam vrar për ty.
