Ajo më shoqëron pranë heshtjes,
kur fjalët humbnin rrugën
dhe nata zbret ngadalë mbi shpirt.
E vetmja mike që mbeti,
kur të tjerat u tretën në largësi,
ajo vazhdon të jetë
pjesë e shpirtit tim.
Kur lutem në heshtje,
ajo më prek lehtë në zemër
dhe më thotë:
Prit, se jam këtu, me ty,
edhe për ty.
Unë përpiqem t’i shmangem,
të mos e takoj nëpër udhët e mia,
por ajo vjen gjithmonë,
më e fortë se dje
dhe ma ngrin lotin
në cep të syrit.
Edhe aty,
pranë qetësisë së mbrëmjes,
kur dielli perëndon,
ajo më pëshpërit:
Nuk je vetëm…
më ke mua!
Mbyll sytë
dhe, me zërin e fundit të forcës,
i them,
Të lutem, dhimbje,
më lër pak vetëm…
Jam lodhur duke të mbajtur
kaq gjatë në shpirt.
Por ajo hesht
dhe, nga një lot
që rrjedh mbi faqe,
ndiej sikur më thotë:
Edhe unë jam lodhur
duke të dashur në heshtje.
