DUALIZEM
Herë herë jam, si pylli i gushtit
Që trembet nga një fije shkrepse
E herë herë, si shtrati i lumit
Që i frikësohet një shiu vjeshte.
Herë herë jam, si pemë e lulëzuar
Që pret me ankth ta puthin bletët
Herë herë, si ajo era e dëshpëruar
Që shkund nga degët, frutat e fletët.
Herë herë jam, si rruga e ndriçuar
Dashuruar me hapa kalimtarësh
Herë herë, ai djaloshi i dashuruar
Që vallëzon mbi këmbë valltarësh.
Herē here, më kaplon plogështia
Dhe s’më pëlqen të hedh një hap
Herë ngjan sikur më vërsulet mërzia
Të më mbyllë vrullshëm çdo kanat.
E tillë është jeta, ngjan me një det’
Herë herë e qetë dhe herë me dallgë.
Kjo jetë, përplasje është, dualitet
Herë të lumturon, herë të hap plagë…