DUA TË BESOJ
Dua të besoj…
se nuk marr vetëm frymë
por jetoj…
Dua të besoj tek sytë
që pa të fshehta shikojnë…
Dua të besoj
se zemra nuk gabon
kur dashuron…
Dua të besoj tek ëndrrat
që pas tyre të vrapoj…
Dua të besoj se mirësia
asnjëherë dëm nuk shkon…
Dua të besoj
se e nesërmja më e bukur
se e djeshmja do të vijë…
Dua të besoj
në jetë,
në njerëz,
në dashuri….!
KUR…
Kur era
të t’përplaset në fytyrë
e të mos mundesh dot të hapësh sytë,
kur mjegulla gri të të bjerë në shpirt
e shpirti të t’ketë zënë brymë,
kur këmbët të t’kenë ngrirë
e hapat bërë statujë,
ti ec me hapin e zemrës,
ajo nuk gabon kurrë…
Këto tha babai e më s’u ndje…
ERË PJALMIMI
Më fal
pranverë,
kur ndonjëherë
të shaj erën,
se ti e di
që mezi pres
të zhvesh
mëngët e dimrit,
kur luleve të tua
u duhet
pjalmimi…
Por…
Ti mendon të vishesh,
unë…të zhvishem,
ky është problemi….