Friday, March 14, 2025
BallinaSportArmend Thaqi flet para ndeshjes me Dukagjinin: Është faza finale dhe nuk...

Armend Thaqi flet para ndeshjes me Dukagjinin: Është faza finale dhe nuk ka kohë për përmirësime

Mbrojtësi i skuadrës së Ballkanit, Armend Thaqi në një prononcim për Gazeta Metron ka folur rreth mundësisë për fitimin e titullit këtë edicion, për ndeshjen e nesërme ndaj Dukagjinit dhe për atmosferën në klub pas sulmit që ju bë portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri nga disa tifozë të Gjilanit.


Mbrojtësi i klubit suharekas, Armend Thaqi ka thënë se deri në fund të sezonit do të jetë e vështirë të mbahet pozita e parë sepse është faza finale dhe nuk ka kohë për përmirësime nëse lëshojnë pikë.

”Pozitën e parë e kemi arrit me shumë vështirësi mirëpo edhe me shumë punë dhe vështirësi do jetë ta mbajmë deri në fund sepse është faza finale dhe çdo gabim nuk ka kohë për përmirësim,” tha Thaqi për Metron.

Për sfidën ndaj Dukagjinit ai u shpreh se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë sepse klinasit janë në një pozitë të vështirë dhe i duhen pikët më shumë se gjithçka.

”Nesër na pret ndeshje shumë e vështirë kundër Dukagjinit sepse është në pozitë të vështirë dhe i duhen pikët më shumë se gjithçka. Jemi të vetëdijshëm që do të jetë e vështirë në Klinë mirëpo çdo gjë është në dorën tonë dhe duhet luftojmë ta mbajmë këtë pozitë që jemi sepse e kemi kualitetin për këtë,” theksoi 29-vjeçari.

I pyetur se si është atmosfera në klub pas sulmit ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri dhe a ka ndikuar kjo në atmosferën në klub, ai tha: ”Një ngjarje jo e dëshirueshme për të gjithë neve mirëpo ndodhi dhe ka përfunduar ajo çështje. Atmosfera është shumë e mirë e gjithë ekipës dhe jemi shumë të motivuar ta vazhdojmë tutje kampionatin.”

Thaqi këtë edicion me Ballkanin ka 24 paraqitje në Superligën e Kosovës dhe një në Kupën e Kosovës, gjatë kësaj etape ai ka realizuar tre gola dhe ka regjistruar pesë asistime, duke qenë kështu një ndër lojtarët më meritorë se Ballkani gjendet në këtë pozitë. 

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT