Wednesday, December 24, 2025
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Hije e një trupi në mërgim

Pajtim Xhelo-Hije e një trupi në mërgim

Hije e një trupi në mërgim

Çapitem sonte në qytetin tim,

I padukshëm, në një mjegull pështjellë,

Hije e një trupi në mërgim,

Jehonë rrokullisur në një shpellë.

Pse po më duket si një kohë tjetër,

I largët, i panjohur ky qytet?

Mëkot po përqas një kujtim të vjetër,

Dhe ndihem i përhumbur, në siklet.

Lëkundem në një botë të dyzuar,

Çapis, ndaloj dhe eci përsëri,

Mëdyshur, në harresë të trishtuar,

Tjetër qytet, unë tjetër njeri.

E verbër koha dhe jeta shurdhuar,

Asgjë nuk po shohin sytë e mi,

Botë lakuriqe, e tjetërsuar,

Përzier urrejtje dhe dashuri.

Këpucë pa njerëz, veshur nga hijet,

Rrëshqasin pa zhurmë nëpër trazirë,

Shpirtra që turren të fshihen në pyjet,

Dhe djaj që i përzënë pa mëshirë.

Çapis, vras kohën, vetëm këtë natë,

Po ku e kanë çuar qytetin tim?

Digjet pa flakë shpirti im i ngratë,

Përgjumur, territ ndihet një rënkim.

Dhëmbje pa lotë, merak që rri zgjuar,

Një qyqe diku, larg, zë e vajton,

Një mall i gjakosur, mall i mërguar,

Endet vetëm, i marrë dhe përgjon.

Çapitem unë, hije e trishtuar,

Një pikë lot nuk po gjej për të qarë,

Më ndrydhi zemrën qytet’ i dyzuar…

Medet, Vlorën tonë e paskan vrarë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT