Dritë
E larë me dritë siç perënditë,
me hënë larë
Trëndafiluar e zbukuruar,
e bërë me zjarr
E bërë me dorë e me kurorë,
plot hijeshi
Lule e thjeshtë në prill e vjeshtë,
ohh ç’ mrekulli.
E bërë me gjak edhe për pak,
kthehesh mermer
Të bëj statujë me gaz e kujë,
me dridhj’e tmerr
Se mbeç i marrë e hiqem zvarrë,
të prek një çikë
Sa të kuptoj, të flas me gojë,
të puth qerpik.
Dikur
Dikur të varfër e të mjerë,
s’kish gjellë në kusi
Por vatra mbushej me të tjerë,
plot zjarr e dashuri.
Kish pakëz miell për barkun bosh,
e s’mbanim kurrë mëri
Në krye rrinte plak në moshë,
me kafe e tespi.
Ish botë e vockël, jam dakort,
dakort, ish tjetër botë
Por barabartë ishim, të fortë,
në gaz edhe në lotë.
E di, do thonë qënke i marrë,
pa qënke nostalgjik
Ajo kohë shkoi dhe është në varr,
ndërroi me kohë or mik.
Oh s’dua të kthej gjërat prapa,
as vitet të bëj pis
Ndoshta dhe vetë pak zëmrën hapa, për vitet e rinisë.
T’i futem sherrit në këtë ditë!!?
oh Zot, sbëj politikë
Veç shoh ndoherë fotografitë,
e mallëngjehem çikë.
Tani është kohë plot pasuri,
plot veshje e aifon
Por s’di pse s’ndiej dashuri,
nuk është si koha jonë.
Tashmë kanë një makinë të rrallë,
po ku po shkojnë o zot
Për njërëz të tyre nuk kanë mall,
e nuk i shohin dot.
Nuk di në është mirë apo keq,
kjo kohë s’më pëlqen
Po ndoshta rrjedhur jam, për dreq,
e mëndja më gënjen.
Fshati im
Tashmë një syth fillon të dalë,
e pemët zë i mbush
Pranverë po vjen dalëngadalë,
me lule nëpër fushë
Dhe bredh çdo ditë në fshatin tim,
me shpirt imagjinar
Takoj ca shokë me ngadhënjim,
e bëhem vetë fshatar
Kërkoj të mbjell vetë me dorë,
të mbaj në krahë lopatë
U bë kaq kohë por s’më vjen zor,
e le të qeshin gratë
E le të thonë pleqtë e moshuar,
ahh ky, i shkreti djalë
Me baltën tonë nuk është mësuar,
e merret veç me fjalë
Por prapë nën zë do thonë në vapë,
është bir i Myzeqesë
Të shkojë kudo po s’gjen rehat,
as dheu s’do e tresë.
Nëse
Nëse një ditë, nëse një çast, nëse një orë
Do jem aty, me shpirt dridhur, të prek me dorë
E do të them, e do të shtrydh, të mbaj në gji
Në gjoksin tim,në krahun tim, plot ëmbëlsi.
Dhe do të mar,dhe do të prek, të flemë gjumë
Me puthje shumë,me fjalë shumë,me lot shumë
Me mall të madh, si kush në jetë, si kush në botë
Nën dritë hënë, të përqafuar, me gaz e lot.
Po si ta shpreh, kur fjala vetëm, mbetet e shkretë
Duhet muzikë, duhet penel, të marr pak jetë
Duhen ca ngjyra, tinguj të plotë, një melodi
Duhet mëndafsh, argjend i shkrirë, edhe flori.
Nëse një ditë, një çast të vetëm, veç një minutë
Të ndiej frymë, rrahje të zëmrës, lëkurë të butë
Do shkoj i lumtur, të flas me zot, të tretem qetë
Paçka matanë, parajsë a ferr, s’di çfarë më pret.
O lule
O lulekuqe,o lule dritë,o lule diell
O lule mall,o syth i mbirë,sipër në qiell
O lule frymë,o lule fllad,lule stuhi
Më çel në buzë edhe në brinjë plot bukuri.
O lule hidhur,o lule shtrenjtë,o lule gjak
Si të këpus,si të të mbledh, në gji për pak
Të marr aromën,edhe ta ruaj, përmbi altar
Bashkë me qirinjtë, që ndeza herë, që ishin tharë.
O lule ëndërr, o lule makth, o lule erë
E ëmbël mjaltë, e mbushur kripë,hidhur zeher
Sa s’di ç’të bëj, të mbetem gjallë apo të bie
Nën portokall a nën një lis, aty në hije.
O lule jetë, o lul’e shtrënjtë, nëm një petal
T’a vë në buzë, t’a vë në ballë, Zotit t’ja fal
Edhe t’a shoh kur të të shohë plot kërshëri
E të më falë të gjithë mëkatet, përsëri…
