Jam ai i pari
E di që ti mendon se kam harruar,
Në qiellin e shtatë të të çoj,
Kur bota fle, atje të kam kërkuar,
Po nuk të gjeta kurrë, mike moj
.
Pra ti mendon se unë më nuk mundem,
Si dikur, në rini, të dashuroj,
Si degë e vjetëruar përkundem,
Veç gjethet asnjëherë s’i rrëzoj.
Vërtet që borën e paska rënduar,
Mbi flokët e mi ky dimër që shkoi,
Po brenda meje zjarr të përvëluar,
Pranvera , kur po ikte, e harroi.
Mos më shih vagët që nga largësia,
Se mjegull nuk kam mbetur asnjëherë,
Po presin mallheshtur puthjet e mia,
Të të ndezin si në vitet e tjerë.
Mos më shih nën dritën e hënës hark,
Dëboje dhe syrin e pleqërisë,
Nën qiellin plot yje, në një park,,
Eja merri hiret e dashurisë.
Eja veç sonte, pastaj të tregoj,
Janë shtuar thinjat, a dashuria,
Po të pres përmalluar , mike moj,
Larg do na tretë të dyve vetmia.
Mos mendo vitet që kanë kaluar,
Mos pyet as për botën llafazane,
Kjo botë veten e paska harruar,
Kur bridhte arixhofkë me çitjane?
Ti mendon se jam barkë e braktisur,
Mbi valën dhe dallgën që mëshiron?
Jam detar që dhe me velën e grisur,
Në det të hapur rrëshqet e lundron.
Nuk më lodh koha, s’më plakin as vitet,
Përveç vetmisë, asgjë s’më mundon,
Ti eja që kujtimi të ujitet
Gjeth’ e re e dashurisë së vonë.
Mos dysho mike moj , që kam harruar,
Në qiellin e shtatë të të çoj,
Dhe në një lirishtë të gjelbëruar,
Me vesë nektari të të mëkoj.