Valsi i pritjes
Më rëndon barra e pritjes
humbe n’mjergullen e dyshimit
e ftohtë akull ndjenja e kthimit
fluturove mjellmë krah’thyer
n’fole lë vezët pre grabitqaresh
trëndafilit petalet vyshkur
gjethes i mungon drita
veshit e ëmbël pëshpërima
syrit e ngrohtë shpresa
gjoksit vesa e trupit
ëndrrës përkëdhelia
shtratit perëndesha
mureve klithjet e hazdisura
vargut i mungon rima
kthehu t’fal buzëqeshjen
buza të shijon puthjen
gjaku të vloj ndër vena
e gjatë qenka pritja…
t’pres në varkën me vela
oqeanit blu të syrit
valëve të qeta t’zemrës
ikim drejt ishullit t’këngës
